Tashmë ai është 53 vjeç, e rrugën e drogës e ka nisur kur ishte 18 vjeç, e punonte si emigrant në Greqi.

Në një rrëfim për Report Tv, Yqmeti tregon vështirësitë që ka kaluar gjatë kësaj kohe dhe sa të vështirë e ka pasur të largohej prej drogës. Ndërsa në ditën ndërkombëtare kundër drogës, Yqmeti i bën apel të rinjve të mos e provojnë helmin e vdekjes, për të mos shkatërruar veten e familjen e tyre.

Ai ka rreth një vit që nuk merr më heroinë, e për të hequr dorë nga “droga e vdekjes” po trajtohet me metadon. Tashmë 53 vjeç, Yqmeti tregon se rrugën e drogës e nisi që në moshën 18 vjeç, kur emigroi për herë të parë në Greqi.

‘Qysh në 90’ e kam nisur në fillim, kur jam arratisur në Greqi. Aty kur punonim më mësuan në fillim hashashin. Pas dy muajsh e ca më kanë mësuar edhe heroinën. Në fillim e merrja me cigare, kurse ata e merrnin me shiringa. Pastaj më nisën disa kriza dhe u shmanga ca kohë nga grekët. Pas 95’ e fillova sërish këtu në Shqipëri, e merrja të kuqe’.

Dënimi i tij me 6 vite burg bëri që Yqmeti të largohej për disa vite nga droga, por e rifilloi sërish, kur bashkëshortja e tij u nda nga jeta.

‘U shmanga ca kohë. Pastaj rashë në burg, më kapën me hashash e bëra nja 6 vite burg. Aty u shmanga disa kohë shumë nga droga. E fillova pastaj kur më vdiq nusja. Aty filluan problemet, më la tre fëmijë, dy goca e një çun’.

E ndërsa tregon se cila është një ditë e tij e zakonshme, Yqmeti rrëfen se asnjëherë nuk ka mundur të kryejë vjedhje, për të blerë drogë.

‘Me tregti merrem tani, me rroba e kur mbledh ndonjë gjë nëpër kazanë. Ushqehemi se s’kemi ç’bëjmë. Pa punë jemi, përkrahje sociale nuk marr. Është shumë e vështirë që t’i kthehem më kësaj rruge, s’e nuk është gjë e mirë, nuk shtyhet jeta vetëm me drogë’.

Në Ditën Ndërkombëtare Kundër Drogës, ai i bën apel kryesisht të rinjve që të mos e provojnë “helmin e vdekjes”, për të mos shkatërruar jo vetëm veten, por edhe familjen e tyre. Vetëm në këtë qendër rehabilitimi marrin metadon rreth 230 përdorues, 20% prej të cilëve janë femra. /Report tv/