Në një organizim mjaft të mirë, e në një ambient, ku gjithçka frymonte shqip, të shtunën në Huttwil është zhvilluar turneu i parë në futboll i organizuar nga Unioni i klubeve shqiptare të futbollit në Zvicër (UKSHFZ), apo siç edhe do të quhet, Kupa e UKSHFZ-së.

Me pjesëmarrjen e 15 ekipeve, të cilat garojnë në kategori të ndryshme në futbollin zviceran, tregohej më së miri se qëllim i këtij eventi ishte para së gjithash takimi dhe njohja e ekipeve me njëri-tjetrin, gjë që u dëshmua, por po ashtu u tregua edhe një profesionalizëm shumë i lartë nga ekipet pjesëmarrëse, sidomos sa i përket lojës korrekte.

Për Skender Thaqin, kryetar i UKSHFZ-së, paraqitja e kaq shumë pjesëmarrësve në këtë ngjarje sportive e tregon më së miri punën që ka bërë Unioni deri më tash. Megjithëse ky edicion i këtij turneu nuk do të jetë i pari dhe i fundit, sepse Unioni planifikon që ky turne të jetë tradicional, e pse jo edhe më masiv.

“FC Kosova” fiton kupën e Unionit të klubeve shqiptare të futbollit
Një rol të rëndësishëm në këtë organizim kishte po ashtu edhe Ministria e Diasporës. Me këtë rast, zëvendësministri i kësaj ministrie, Sahit Krasniqi, duke vlerësuar lart organizimin e bërë nga ana e Unionit, ndër të tjera ka theksuar se ky event tregon më së miri se shqiptarët në Zvicër, pos punës që bëjnë në këtë vend, kanë filluat të mendojnë edhe për zhvillimin e tyre në lëmi të ndryshme, e veçanërisht në sport, duke marrë si shembuj yjet shqiptare në kombëtaren helvetike.
Ndër pjesëmarrësit në këtë turne ishte edhe FC Kosova nga Zürichu, ekip i cili së fundi është ngjitur në Ligën e Parë ( që i bie Liga e 4 e Zvicrës), e që vlerësohet si ekipi më i suksesshëm i emigrantëve në Zvicër. Për presidentin e klubit, Arsim Hyseni, pjesëmarrja e FC Kosovës në këtë ngjarje nuk ka qëllim medoemos vendin e parë, por më tepër të luajë rol dhe të fitojë profesionalizmi dhe korrektësia.

Në fund fituesi i Kupës së UKSHFZ-së u shpall FC Kosova nga Zürich-u, e cila në finale mposhti FC Prishtinën nga Berna.
Fituesi i këtij turneu do të ndeshet me fituesin e kupës së Gjermanisë, që organizohet nga organizata simotër e UKSHFZ-së në Gjermani. E më pas, më 28 Nëntor 2015, në Vlorë do të organizohet finalja e madhe, ku do të përballen fituesi i Kupes së Diasporës, KF Ferronikeli, si dhe KF Laci, ekipe këto fitues të kupave nga Kosova, gjegjësisht Shqipëria. Vlen të theksohet se në këtë turne kishte edhe mediume të shumta nga Zvicra dhe trojet e tjera shqiptare, në mesin e të cilëve ishte edhe Redaksia e gazetës “Lajm” nga Maqedonia, me redaktorin e sportit në krye, z. Reshat Ibrahimit, i cili mori komplimente të shumtë për punën e palodhur që e bëri në rolin e komentatorit dhe mbarëvajtes së ndeshjeve. /Albinfo-Shtegu/