11:40:01                   2019-06-11

 

 

Me një fitore në minutën e fundit, Kosova ka mposhtur Bullgarinë me rezultat 2:3. Është suksesi i parë i plotë në një ndeshje kualifikuese të Kampionatit Europian. Ekipi i ri i Kosovës, i cili është nën drejtimin e trajnerit zviceran Bernard Challandes, për 14 ndeshje me radhë pa humbje, shkruan “Blick”, në një artikull të tij, njofton Shtegu.com.

E gjithë pankina e rezervistëve kosovarë kërcen, trajneri Bernard Challandes i ngre krahët. Gëzim i papërshkruar. Kosova sapo ka fituar ndeshjen e parë kualifikuese për Kampionatin Europian.

Dhe si?! Në kohën shtesë, Elbasan Rashani shënon për të mposhtur Bullgarinë 2:3 në transfertë. Çmenduri! Fitorja është absolutisht e merituar, pasi kosovarët e kishin posedimin e topit me 61 për qind. Përkundër disavantazhit 2:1, ekipi i Challandes nuk u dorëzua.

Në fushën e gjelbër, të pranishëm gjithashtu ishin edhe lojtari i FCZ-së, Benjamin Kololli që asistoi për rezultatin 2:2, ai i FC Basel Edon Zhegrova, lojtari i FC Luzern Idriz Voca por edhe ish lojtari i Kombëtares zvicerane Florent Hadergjonaj (Huddersfield), i cili që nga shkurti është lojtar i Kosovës.

E pabesueshme: Kosova është e pamposhtur për 14 ndeshje ndërkombëtare me radhë. Humbja e fundit ishte regjistruar kundër Islandës, më 9 tetor 2017. Që atëherë, ajo ka realizuar nëntë fitore dhe pesë barazime. Nën udhëheqjen e trajnerit Challandes, i cili është trajner i Kosovës që nga marsi i 2018-ës, futbollistët kosovarë nuk e dinë se çfarë do të thotë humbje.

Një përdorues i Twitter-it ka shkruar me entuziazëm: “Po që se kualifikohet Kosova, shtatoren e Skënderbeut do ta zëvendësojmë me atë të Bernard Challandes”. Në rrjetet sociale kanë vërshuar lëvdatat deri në qiell për zviceranin nga Kantoni Vaud. “Çfarë legjende, jepni atij një kontratë të përjetshme”, ka shkruar një përdorues tjetër i Twitter-it.

Kosovarët mund të shpresojnë në kualifikim për Kampionatin Europian. Në Grupin A, ata janë të tretët në garë, pas Anglisë dhe Republikës Çeke, me pesë pikë nga tri ndeshje. Përveç kësaj, ata e kanë të garantuar barazhin për një biletë në Kampionatin Europian në marsin e ardhshëm.

“Unë jam shumë i lumtur. Kurrë nuk kemi hequr dorë, djemtë e merituan fitoren. Ky nuk është një triumf normal, por i pari në kualifikimin e Kampionatit Europian. Ky ekip tregoi se djelmoshat kanë ko.e”, ka thënë Challandes. Lufta tjetër serioze do të jetë një sprovë e vështirë: Në transfertë kundër Republikës Çeke më 7 shtator.