20:36:43                    2019-06-10

 

 

 

Më 17 janar 2019, pra të njejtën datë të vitit 1468 kur kishte vdekur Kryeheroi Skënderbeu, dhe të njejtën datë të vitit 1982, kur në Gjermani tragjikisht ishin vrarë heronjtë e kombit, Vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka, në Bruksel të Belgjikës, kishte mbyllur sytë një humanist i pashoq, një filantrop i papërsëritshëm, haxhi Xhevat Qorrolli.I ndjeri kishte vdekur dhe ishte varrosur me një ceremoni madhështore në varrezat e muslimanëve në Bruksel.

Të gjithë ata që e njohën haxhi Xhevat Qorrollin dhe shijuan bëmirësitë e tij, pajtohen se ai ishte një humanist i pashoq, një bujar i papërsëritshëm dhe një bëmirës për shumëkënd që pati nevojë.

Ishte i lindur më 15.05.1933 në fshatin Bresalc, komuna e Gjilanit.Babai i tij, Ismaili, kishte qenë i dënuar me disa vite burg si bashkëluftëtar i Hasan Ali Remniku dhe ata që e njihnin thonë se, kur përvilte krihët xha Ismaili, për të marrë abdes, gjithë llërët dhe krihët i kishte gunga-gunga nga rrahjet e OZNA-s dhe i kishin mbetur të tilla deri në vdekje.

Nga presionet e pushtetit, derisa ai ishte në burg, familja dhe 5 vëllezërit, kishin lëshuar vendlindjen dhe në vitin 1947 ishin shpërngulur në Gjilan e më 1949 në Shkup që t’i iknin zullumit të pushtetit.

Aty bëjnë një jetë më të qetë, ndërtojnë shtëpi, punësohen djemtë dhe fillon një jetë e re.

Meqë ishin familje me taban bujar gjysh e stërgjysh, babai Ismaili sa jetonin në Shkup, thonë njerëzit e shumtë që e kanë njohur, për çdo ditë dilte në qytet, në stacionin e trenit e nëpër parqe të qytetit, që të takonte ndonjë mik të njohur, apo edhe të panjohur, që nuk kishin ku të flinin, apo që nuk kishin ngrënë, meqë nuk kishin gjetur punë private dhe nuk kishin para, të cilët i dërgonte në shtëpinë e tij, që të buanin dhe ushqeheshin.Dhe kështu ndodhi me vite të tëra.

Të njejtën traditë e vazhduan edhe vëllezërit, pas vdekjes së babait, deri në vitin 1964, kur katër vëllezër shkuan për të punuar në Belgjikë, përveq Xhevatit që mbeti në Shkup, deri më 1980, kur edhe ai iu bashkangjit vëllezërve në mërgim në Bruksel.

Sipas dëshmisë së Izet Graincës (1948)nga fshati Cërnillë, pronar i firmës për nxemje “TERMO”, që ishte mik me familjen Qorrolli, meqë një vëlla i kësaj familjeje, Neziri, ka gruan nga familja Grainca dhe në kohën e shkollimit të tij në Shkup, në vitet 1964-70 kishte ndenjur në familjen e Xhevat Qorrollit pa asnjë kompensim.

Traditën e bujarisë, haxhi Xhevat Qorrolli e vazhdon edhe në Bruksel, me hallexhinjë të shumtë, që kishin shkuar e mbetur në Belgjikë. Më se 40 familje, me nga 3-4 muaj e më shumë, që kishin arritur në Bruksel nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia, haxhi Xhevati i ka mbajtur në shtëpinë e tij derisa i kanë rregulluar letrat për strehim, apo u jepej ndonjë ndihmë financiare.Të biesh në duart e haxhi Xhevat Qorrollit, e të mos kujdeset për ty, kjo ka qenë e pamundur!

Bëmirësinë e haxhi Xhevat Qorrollit, dua ta ilustroj dhe dëshmoj haptas me veprimet e tij për pesë vite, kur për shqiptarët e Kosovës, ishte periudha më e rëndë e mbijetimit nën masat e apardheidit dhe neofashizmit serb.Të gjithë ishim të përzënë nga puna, pa të ardhura, me një mbijetesë të çuditshme, kur në varfëri të skajshme përpëliteshim të gjithë, madje shumë prej nesh të merrnin rrugën e pakthim të mërgimit.

Haxhi Xhevat Qorrolli nga Brukseli, meqë kishte miq tek ne në Cërnillë, brenda viteve 1991-95, për çdo Kurban Bajram, ia ka dërguar Izet Graincës nga 1000-1200 Marka gjermane ( varësisht nga çmimi në treg), duke blerë në treg nga një kurban 500kg. që ta therrë dhe mishin e tij t’ua shpërndaj të varfërve të këtij fshati. Kështu që për pesë vite rresht, 50 familje të këtij fshati kanë marrë nga 5 kg. mish nga kurbani i haxhi Xhevat Qorrollit, që e bënte niet për shpirtin e tij.Lopën, ose demin që e blente Izeti në treg, e therrte Islam Orana (që nga nevoja për të mbajtur familjen ushtroi disa vite këtë profesion) dhe mishi u ndahej 50 familjeve në këtë fshat, kurse regjistrin e përpilonte Kryesia e Nëndegës së LDK-së të fshatit- komisioni i solidaritetit, i cili ua dërgonte mishin familjeve nevojtare.

Popullata e këtij fshati, edhe atëherë, edhe sot pas 25 vjetësh, i është mirënjohës këtij humanisti, me të cilin unë si Kryetar i Nëndegës së LDK-së të këtij fshati jam takuar dy-tre herë kur vinte tek miqtë në Cërnillë.Haxhi Xhevati, ishte një burrë esnaf, që të merrte malli të takoheshe me qiftin e tij: i urtë, bujar, fetar i devotshëm, që dhurimin për të varfërit e kishte të mbjellur në shpirtin e tij human.

Për gjestin e therjes së pesë kurbanëve në fshatin tonë nga 500kg., unë në shtator 1995, pata botuar në gazetën “Bujku” një shkrim gjysëmfaqe me fotografinë e tij, në shenjë falenderimi e mirënjohjeje për këtë humanist të pashoq.

Ky shkrim në fcb. le të jetë një homazh imi dhe i gjithë fshatit tim, i të gjithë atyre familjeve që shijuan bëmirësinë e këtij filantropi, një falenderim nga shpirti e zemra për shpirtëgjerësinë e tij, në ato kohë, kur Kosova dhe të gjithë shqiptarët frymonin e mbijetonin nën dhunën e çizmës fashiste serbe, në ato vite ndër më të rëndat në historinë më të re të Kosovës.

Shpirtin e haxhi Xhevat Qorrollit, Perëndia e ndjeftë, pushoftë në paqe në Parajsë, në mëshirën dhe shpërblimin e Zotit të Madhërueshëm.Amin!

 

Përgatiti:

Enver Zhinipotoku