Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka filluar takimet me krerët shtetërorë në kuadër të vizitës së tij dyditore në Maqedoninë e Veriut.

 

Stoltenberg bashkë me ambasadorët e vendeve anëtare të NATO-s, respektivisht Këshillit Veriatlantik, arritën në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, ku u organizua pritje solemne për nder të tyre.

Përpos Xhanë Kuvend të pranishëm ishin edhe delegacioni qeveritar i kryesuar nga kryeministri Zoran Zaev.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s përgëzoi vendin për sukseset e arritura në rrugën e integrimit euroatlantik. Ai siguroi edhe një herë vendin se NATO e mirëpret anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në strukturat e Aleancës Veriatlantike.

“Aleanca jonë kujdeset për sigurinë e njerëzve, por edhe për respektimin e vlerave tona – lirinë, demokracinë dhe sundimin e ligjit. Në vitin 1949, ministrat e jashtëm të dymbëdhjetë vendeve nënshkruan Marrëveshjen e Uashingtonit. Së shpejti, kur të përfundojë procesi i aderimit tuaj, me padurim do ta mirëpres Maqedoninë e Veriut si anëtare të tridhjetë në Aleancën tonë, ta shoh flamurin tuaj fluturuar në selinë tonë në Bruksel, si dhe në misionet dhe operacionet tona në të gjithë botën” – tha sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Stoltenberg.

Të hënën, para Qeverisë së Maqedonisë së Veriut do të mbahet pritje solemne me nderimet më të larta shtetërore dhe ushtarake për Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg. Ai në Qeveri do të ketë takim dypalësh me kryeministrin Zoran Zaev, pas çka do të mbahet takim i Këshillit Veriatlantik me Komitetin për Integrim të Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO.