Kampioni i Europës në peshën 69 kilogramë, Briken Calja, vinte në Europianin e Batumit me një bast të madh për veten, duke garuar në peshën 73 kilogramë. Por pak rëndësi ka kjo, pasi talenti nuk bëhet ujë dhe shtërmenasi i ekipit kuqezi shkëlqen në pedanë në stilin e shkëputjes.

Calja hyri në garë me 151 kilogramë, duke bërë një provë mjaft të bukur. Bjellorusi Likharad ngre 153 kg dhe e detyron Caljen ta ngrejë shtangën në 156 kilogramë, dhe ta çojë me sukses duke vendosur një rekord personal. Likharad kërkon ta barazojë Caljen, por dështon dy herë në 156 kilogramë dhe Calja automatikisht shpallet kampion i Europës.

Gjithsesi për Brikenin ka dhe një provë të tretë, por tashmë, me medaljen e artë të siguruar, synon rekordin europian me 160 kilogramë, por nuk ia del dot mbanë. Në përfundim të garës, Briken Calja e mbyll i pari me 156 kilogramë, në vendin e dytë bjellorusi Likharad me 153 kilogramë dhe i treti bullgari Andrev me 153 kilogramë, por me peshë trupore më të madhe sesa bjellorusi.(bw)