Kampione e Evropës, Nora Gjakova, ka triumfuar në Grand Prixin e Gjeorgjisë, në kategorinë e peshave deri në 57 kilogramë, duke fituar medaljen e artë të kësaj gare.

 

Në garën finale, xhudistja nga Kosova, është përballur me xhudisten nga Brazili, Rafaela Silva, të cilën e mposhti.

Deri te medalja e artë, Nora Gjakova erdhi pas katër luftërave të fituara.

“Sportistja më e mirë e vitit 2018 në Kosovë fitoi 700 pikë Olimpike për Lojërat Olimpike Tokio 2020. Për Norën është kjo medalja e parë e fituar këtë vit”, thuhet në njoftimin e Komitetit Olimpik të Kosovës.

Lajmin për fitoren e Gjakovës e ka bërë të ditur trajneri i xhudos, Driton Kuka në një postim në rrjetin social, Facebook.

“Kampionia Olimpike Silva gjunjëzohet para Norës”, ka shkruar Kuka. /ina