14:11:07              2019-03-26

 

Fundi i tronditjes nga pensionet zvicerane: Përse Zvicra dëshiron t`i dërgojë sërish fondet e AHV-së dhe IV-së në Kosovë

Për nëntë vite, Zvicra nuk ka paguar asnjë pension në Kosovë – me pasoja të gjera për migrantët nga shteti ballkanik. Tani, në tryezë qëndron një zgjidhje, të cilën vetëm Partia SVP e hedh poshtë.

Kosovarët formojnë një diasporë të rëndësishme në Zvicër, sipas qeverisë federale, rreth 200,000 persona me origjinë kosovare jetojnë këtu. Ajo që po ndodh këto ditë është vendimtare: Marrëveshja e sigurimeve shoqërore midis Zvicrës dhe Kosovës është në rrugë të mbarë. Sapo të nënshkruhet marrëveshja, shërbimet sociale zvicerane përsëri do t`i paguajnë pensionet e AHV-së dhe IV-së në Kosovë. Për shembull, për ata pensionistë kosovarë që gjatë gjithë jetës kanë punuar në Zvicër, por moshën e vjetër duan ta kalojnë në atdheun e tyre të vjetër.

Tashmë janë bërë pak më shumë se nëntë vjet, që kur Këshilli Federal mori këtë vendim, të cilin sindikalisti shqiptar Osman Osmani nga Unia e quan si një “tronditje për shtetasit kosovarë dhe një kapitull i zi në marrëdhëniet Zvicër-Kosovë”: Në dhjetor të vitit 2009, qeveria zvicerane vendosi t`i ndalojë pagesat e pensioneve të mëtutjeshme në Kosovë. Këtë vendim, ajo e arsyetoi me mungesën e strukturave përkatëse shtetërore në shtetin e ri ballkanik, i cili u shpall i pavarur në vitin 2008. Sipas autoriteteve zvicerane, Kosova nuk kishte një administratë funksionale – dhe kështu pra, bazën për bashkëpunim, duke përfshirë hetimet kundër mashtruesve të pensioneve. Kjo gjithashtu ndodhi për shkak të presionit politik nga kampi i krahut të djathtë, që Këshilli Federal e hoqi frenimin emergjent.

Sindikalisti shqiptar Osman Osmani, i cili edhe personalisht është nga Kosova, vendimin e ka përshkruar si “të motivuar politikisht” dhe “diskriminues”. Ky veprim solli diskutime emocionale dhe një mosmarrëveshje të gjatë ligjore, ndërsa në fund Gjykata Federale i mbështeti veprimet e qeverisë federale. Pasojat për shumë kosovarë ishin shumë të mëdha. Ai i cili u kthye në vendin e tij pas 1 prillit 2010, nuk ka marrë më asnjë pension nga AHV. Në bazë të kërkesës, qeveria federale në vend të kësaj i ktheu kontributet e AHV-së apo IV-së. Në këmbim, çdo kërkesë e mëtejshme u shua. Sipas Zyrës federale të sigurimeve shoqërore (BSV), 6257 persona e shfrytëzuan këtë opsion. Ata, mesatarisht tërhoqën mbi 13,000 franga. Dhe në shumicën dërrmuese të rasteve, ata mund të kenë qenë më keq se sa me një pension të rregullt të pleqërisë. Osman Osmani thotë se kjo është arsyeja pse mijëra kosovarë të pensionuar kanë refuzuar të kthehen. Çdokush që ishte kthyer para vendimit të Këshillit Federal, do të vazhdonte të merrte pensionin e tij nga AHV. Por, kërkesat e reja nuk kanë mundur të parashtrohen, që sipas këshilltares nacionale Barbara Gysi (PS/SG) solli “raste tragjike”, shkruan “Aargauer Zeitung”, përcjell Shtegu.com.

Për shembull, kur ndonjë grua e humbte bashkëshortin e saj, prej pensionit të të cilit çifti kishte jetuar më parë. Më pas, pensioni i bashkëshorteve të veja nuk paguhej për shkak të marrëveshjes së humbur. “Prandaj është një e mirë që më në fund të kemi një zgjidhje në tryezë. Të gjithë ata që kanë punuar këtu, duhet gjithashtu të marrin pensionin e tyre”, thotë Gysi. Edhe sindikalisti Osmani është i të njëjtit mendim, por ai ankohet se nuk ka plane retroaktive kompensimi për rastet e vështira.

Qeveria federale ka dhënë dritën jeshile për një marrëveshje të re, sepse situata në Kosovë ndërkohë është “përmirësuar me vendosmëri”. Kjo ka rezultuar me një projekt pilot dypalësh në të cilin funksionimi i bashkëpunimit është testuar në mënyrë specifike. Përveç kësaj, në kontratë përfshihet edhe baza për kontrollin kundër abuzimit. Zvicra tashmë ka marrëveshje të sigurimeve shoqërore me 44 shtete të tjera nga Australia, e deri në Mal të Zi.