Festa u përshkua nga emocionet që na dhuruan tingujt e muzikës së mirëfilltë shqiptare, të kënduar nga zërat e ëmbël të këngëtareve të njohura Enkeleda Bashaj dhe Gentiana Tafili

 

Më 17 mars, Shoqata për Kulturë dhe Integrim “Swiss Albania Event” organizoi një drekë argëtuese plot surpriza për të gjithë, në restorantin “Jetset” në Kloten të Zürichut. Dreka dhe evenimenti i kushtohej festës së njohur tradicionale shqiptare “Dita e Verës”, që shënohet me aktivitete të ndryshme, gjithandej në Shqipëri.

Dreka ishte e shoqëruar me shije shqiptare, antipasta, ëmbëlsira por dhe disa nga shijet e verës “Kosova Wine”.

Ajo u përshkua nga emocionet që na dhuruan tingujt e muzikës së mirëfilltë, të kënduar nga zërat e ëmbël të këngëtareve të njohura Enkeleda Bashaj dhe Gentiana Tafili.

Një muzikë të interpretuar me një nivel të lartë artistik, na e dhuruan tre instrumentistët e njohur shkodranë: Rafael Lici, Artur Lici dhe Ahmet Ujkashi.

Edhe fëmijët u argëtuan në këtë festë të bukur, duke krijuar, sipas riteve të njohura të festës nga Shqipëria, “Veroret” e tyre, të cilat pastaj ua shpërndanë të pranishmëve.

Festa u zhvillua në një ambient mjaft argëtues, duke kërcyer e kënduar të gjithë së bashku ndërsa surpriza ngeli për në fund.

SAE ka marrë një nismë të vlerësojë dhe bashkëpunojë me të gjitha subjektet e artit, kulturës dhe integrimit si dhe promovimit të kulturës shqiptare, duke ndarë dhe vlerësuar një certifikatë mirënjohjeje për ata njerëz që kanë kontribuuar në diasporë.

Sigurisht, certifikatat e para ishin për ata njerëz që kanë stimuluar dhe kontribuuar në hedhjen e hapave të parë të shoqatës. Por ngelen akoma shumë të tjera, në aktivitetet në vazhdim për t`iu shprehur mirënjohjen secilit prej kontribuesve.

Mesazhi i fundit i evenimentit ishte një thirrje për të gjithë, pa përjashtim, shoqata dhe individë, që të organizohemi e të realizojmë aktivitete cilësore në bashkëveprim me miqtë dhe vendin ku jetojmë, zviceranët dhe Zvicrën./ina-online