Greqia edhe zyrtarisht ka dërguar notë diplomatike ku e informon qeverinë tonë për ratifikimin e marrëveshjes së Prespës dhe protokollin për anëtarësim në NATO, përcjell Telma.

 

“Do të dërgohet notë verbale ku do të njoftojmë për ratifikim e marrëveshjes dhe në vazhdim Maqedonia e Veriut do t’i njoftojnë Kombet e Bashkuara, por edhe të gjitha vendet anëtare që e kanë pranuar nën emrin kushtetues, kështu që nga tani pranimi do të jetë me emrin e ri kushtetues. Dhe natyrisht, nga e hëna nisin obligimet e saja, emrat e rrugëve, objekteve, dokumenteve që kanë emrin e vjetër”, shpjegoi ministri alternativ për Punë të Jashtme i Greqisë, Georgios Katrougalos.

Hapi tjetër është publikimi në Gazetën Zyrtare në datën e hyrjes në fuqi të ndryshimeve kushtetuese dhe të ligjit për ndryshimin e emrit kushtetues, domethënë nga ku dhe zyrtarisht Republika e Maqedonisë do të emërohet në Republika e Maqedonisë së Veriut. Pas arritjes së notës diplomatike, do të dërgohet letër e përbashkët e Maqedonisë dhe Greqisë deri tek Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së se kontesti për emrin është tejkaluar dhe nga ku marrëveshja hyn në fuqi dhe me këtë mbyllet çështja e emrit. /ina-online/