Të rinjtë shqiptarë për herë të parë në Këshillin kombëtar zviceran ?!
Bullakaj dhe Xhemaili në vend të Fehr dhe Schläfli: Zviceranë me prejardhje shqiptare do të kandidojnë për Këshillin kombëtar zviceran. Vallë a do të bëhet hapi i parë për në Bernë?
Në Kombëtaren zvicerane, emrat si Xhaka, Xhemaili apo Behrami tashmë kohë të gjatë nuk janë të pazakonshëm. Por, pak më ndryshe qëndron puna në politikë: Në skenën politike kombëtare zvicerane, askund nuk gjenden politikanët me prejardhje nga Ballkani. Por, së shpejti kjo mund të ndryshojë – disa kandidatë me prejardhje shqiptare do ta provojnë fatin e tyre në vjeshtë për zgjedhjet parlamentare.
Në Kantonin St. Gallen, nënkryetari i SP nga i njëjti qytet, Arber Bullakaj, ka gjasa të mira të fitojë zgjedhjet, pasi partia e tij e ka vendosur në vendin e nëntë në listën zgjedhore. Ai është i lindur në Kosovë dhe në moshën tetëvjeçare ka ardhur me nënën e tij në Zvicër. Për të është e qartë se migrantëve në politikë u mungon një votë: “Do të thotë se Parlamentin në demokracinë tonë të drejtpërdrejtë e përfaqëson populli. Por, migrantët janë ashpër të papërfaqësuar”, ka deklaruar kosovari 29-vjeçar për “20 Minuten”. Qysh tani, ai është duke ndjerë një përkrahje grandioze nga komuniteti shqiptar.
“Është vetëm çështje e kohës deri sa një shqiptar të kyçet në Bernë”. Ai është ende në një rol të pionerit, por beson se numri i migrantëve dhe brezave më të rinj të tyre të cilët janë politikisht të angazhuar në Zvicër, do të rritet në masë të madhe. Gjithashtu, ai pohon se shumë probleme të migrantëve i shikon nga një perspektivëtjetër dhe posedon zgjidhje për to, sidomos në çështjen e integrimit. “Për shembull, në Wil kisha lansuar një nismë lidhur me tatimet për natyralizimin e të huajve, shuma e të cilave arrin në 2.500 franga zvicerane dhe shumë kjo që është shumë e lartë. Barriera të tilla e pengojnë integrimin”
Për të rinjtë e Partisë CVP në Kantonin e Solothurnit është propozuar Shpëtim Xhemaili (25). Ai është i lindur në Zvicër, ndërsa prindërit e tij janë nga Maqedonia: “Dua të kandidohem për zgjedhje, në mënyrë që edhenjë zviceran me prejardhje shqiptare t`i pasurojë zgjedhjet”. Edhe pse ai është mysliman, CVP për të është parti ideale, vlerat e së cilës është duke i përfaqësuar. Si idhull të madh ai e potencon ministren zvicerane të Transportit, Doris Leuthard, të cilën para pak kohësh e kishte takuar në Konfederatën zvicerane.
Xhemaili shpreson fortë se vetëm për shkak të emrit të tij, votuesit nuk do ta fshijnë nga lista: “Në çdo vend ka qytetarë të mirë e të këqinj. Prejardhja shqiptare për mua është shumë e rëndësishme, por vendlindja ime është Zvicra”.