15:32:55                    2018-02-25

 

 

Jetmir Ametit i kujtohet shumë mirë 7 korriku, dita kur ai ndihmoi në shpëtimin e një të përmbyturi nga kanali Rhein-Herne i Gjermanisë. Shqiptari 44-vjeçar, për angazhimin e tij, para pak ditësh, në Mönchengladbach mori mirënjohje. Ministrja e Landit gjerman Ina Scharrenbach, ka dekoruar 17 qytetarë, të cilët kanë rrezikuar jetët e tyre për të shpëtuar të tjerët. Në mesin e tyre edhe polici gjerman Julius Eckert nga Esseni, i cili i pari kërceu në kanal. Në aksionin e shpëtimit, atij i ndihmuan Jetmir Ameti dhe polici Thorsten Pohl, të cilët tani kanë marrë mirënjohje.

Jetmiri ka qenë me punë në kanalin Rhein-Herne, në muajin korrik, në mes Essenit dhe Bottropit. Me profesion, specialist i kopshtarisë dhe i pejsazhit, ai ka qenë duke drejtuar traktorin e madh për kositje. “Doja të pija një çaj të ftohtë, kur e pashë një trup mbi ujë i kthyer në shpinë. Ai nuk lëvizte dhe mendova se ishte i vdekur”, përshkruan situatën Jetmiri. Personi i rrezikuar ka pasur të veshur rrobe sportive.

Jetmiri menjëherë ka hipur në urën më të afërt duke i bërtitur personit, por ai nuk ka reagur, shkruan “NGZ”, përcjellë “Shtegu.com”. E alarmon policinë e cila shumë shpejt erdhi në vendin e ngjarjes.

Së bashku me policët, Jetmiri e ndihmoi personin të shpëtojë nga përmbytja. Më pas, i rrezikuari kishte deklaruar se ishte alivanosur dhe papritmas kishte rënë në kanal.

Jetmir Ameti është krenar për mirënjohjen. “Unë jam një tip i cili është i gatshëm në çdo kohë të ndihmojë”, pohon babai i tre fëmijëve i cili me prejardhje është nga Shkupi i Maqedonisë dhe në Gjermani jeton tashmë 26 vite. Jetmiri nuk përton që në çdo kohë të ndihmojë të moshuarit dhe fëmijët të kalojnë rrugët e frekuentuara.

Bile, para disa javësh, Jetmiri 44-vjeçar kishte ndihmuar edhe gjatë një aksidenti në Neuss. “Një person zbriti nga autobusi dhe u orientua në drejtim të stacionit të trenit, kur papritmas e godet një veturë. Përderisa dy infermierë ishin përkujdesur për të lënduarin, unë u përkujdesa ta rregulloj trafikun”, ka përfunduar Jetmir Ameti. (Shtegu.com)