Ambasada gjermane në Prishtinë vështirëson bashkimin e çiftit të sapomartuar shqiptar

321 Lexime

12:54:56            2016-04-25

 

 

 

Numri i aplikimeve për viza në Ambasadën gjermane në Kosovë, e kanë vënë në sprovë të madhe një shqiptar nga Schopfheimi i Gjermanisë dhe bashkëshorten e tij të ardhshme.

 

 

 

Në këtë rast, ka disa elemente nga Romeo dhe Zhulieta. Një shqqiptar i ri nga Kosova, me vendbanim në Schopfheim të Gjermanisë dhe një vajzë nga Kosova, dëshirojnë të martohen zyrtarisht, por për momentin nuk munden. Në krahasim me romanin e Shekspirit, barrierë në këtë rast nuk është familja, por autoritetet gjermane. Në këtë mënyrë, çifti në mënyrë të tërthortë është viktimë e ligjeve të rinj të procedurës së azilit.

 

 

 

Arbon Ukaj (23) klikon në smartfonin e tij dhe tregon fotografitë e dasmës së tij. Burra, gra dhe fëmijë, të gjithë janë në disponim maksimal. Më pas vjen fotografia me nusen e tij Albana Luzha (23) që shkëlqen, përderisa ia ka vendosur krahun mbi supe.

 

 

 

 

Midis kësaj fotoje dhe të sotmes, tashmë ka kaluar një vit. Që atëherë, buzëqeshja është larguar pjesërisht nga fytyrat e tyre. Nga muaji prill i vitit të kaluar, kur ishin martuar sipas traditave në vendlindje, ata anjëherë nuk e kishin paramenduar se edhe më tej do ta mbajnë komunikimin përmes internetit, nga një distancë e largët. Para tij, shumë miq e farefis kishin arritur t`marrin bashkëshortet e veta nga Kosova në Gjermani. Më së voni pas dy apo tre muajve, e gjithë procedura kishte përfunduar. Rrethanat e tyre kanë qenë të ngjashme si të Arbon Ukajt dhe Albana Luzhës. Familja e Arbonit është nga Kosova, por ai tashmë 20 vite jeton në Gjermani. Ai, personalisht është i pajisur me shtetësi gjermane. Për ta marrë me vete partneren kosovare në Gjermani dhe zyrtarisht të martohen, të cilën e kishte njoftuar para katër vitesh, ajo duhet të ketë një vizë.

 

 

 

 

„Për tu pajisur me një të tillë, më parë nuk ka qenë problem“, rrëfen Arbon Ukaj, për „Badische Zeitung“, njofton „Shtegu.com“. Ka mjaftuar vetëm të gjeje ndonjë organizator të udhëtimeve përreth Ambasadës gjermane në Prishtinë dhe e gjithë puna kryhej me një pagesë përkatëse. Por, që para disa kohësh, një gjë e tillë nuk është e mundur pa kontakt të drejtpërdrejtë me Ambasadën, ndërsa Arboni kishte menduar se edhe kjo nuk duhet të ishte ndonjë barrierë e madhe, prandaj në muajin gusht të vitit të kaluar, për herë të parë kishte shkuar tek Ambasada gjermane në Prishtinë, për të mësuar se çfarë dokumentesh nevojiten. Pasi ka qenë me shtetësi gjermane, atij i kishte shkuar ndërmend se me siguri do të përkrahej, por nga personeli i Ambasadës, ai kishte marrë vetëm informata të padobishme. Arboni 23-vjeçar flet me zemërim të madh për mënyrën se si është trajtuar në Ambasadë: „Po që se ti nuk e di, edhe unë nuk e di…“, i kishin thënë atje. Çifti kishte qenë i detyruar që të marrë informata gjetiu. Tashmë kohë të gjatë, ata i kanë plotësuar të gjitha dokumentet e nevojshme, së bashku me vërtetimin për kursin e gjermanishtes A1, të cilin Albana e ka përfunduar me sukses. Edhe Komuna e Schpfheimit, oara disa muajsh kishte dhënë dritë jeshile për kurorëzimin e tyre. Por, viza e Albanës nuk gjendet askund.

 

 

 

 

Edhe tre herë të tjera, Arboni kishte shkuar në Prishtinë për ta përshpejtuar procedurën, bile një herë edhe nuk e kishin pranuar brenda. Nga Ambasada i kishin thënë se kërkesa për vizë ishte regjistruar më 22 dhjetor 2015. Në vijim, do të bëhet një intervistë në Ambasadë, ndërsa termini për te do të bëhet gjashtë javë paraprakisht. Por, kur çifti kishte pyetur për terminin e nevojshëm, atyre iu kishin thënë se duhet të llogaritin terminin për muajin gusht.

 

 

 

 

„Bëhet fjalë vetëm për një bisedë, ndërsa ne ende nuk e kemi vizën“, habitet Arboni. Përderisa ai i falënderon autoritetet komunale gjermane për përkrahjen që i kishin dhënë (ata nuk kanë ndikim të madh në Ambasadën gjermane), Arboni fletë i indinjuar për Ambasadën gjermane në Prishtinë. „Nuk po e kuptoj aspak përse nevojitet kaq shumë kohë dhe përse nuk na japin spjegime“, pohon ai.

 

 

 

 

Kjo ndodhë, pasi numri i aplikimeve të vizave në Kosovë, viteve të fundit është shtuar dukshëm, me faktin se Qeveria gjermane e ka shpallur Kosovën si shtet të sigurt të prejardhjes, ndërsa ia ka lehtësuar qasjen në tregun e punës.

 

 

 

 

Rritja e aplikimit të vizave dhe personeli i pamjaftueshëm në Ambasadë, kanë bërë që shqyrtimi i vizave të zgjasë pak më gjatë se zakonisht. Për këtë, nga Ambasada kanë pohuar se duhet llogaritur disa muaj për shqyrtimin e një vize. Çiftit shqiptar nuk i mbetet tjetër, përpos të presë edhe më tej. Por, Arbon Ukaj nuk mund ta kuptojë përse një bashkim familjar të mos ketë përparësi në shqyrtimin e vizës. „Pritja disamuajshe është në rregull, por në rastin tonë procedura tashmë po i afrohet një viti“, përfundon Arboni i dëshpëruar.