Aktivistet gjermane nemiten nga biznesi i kosovares
15:10:11 2016-02-07
Aktivistja gjermane Fabienne Daub, nga Ihringeni ka qëndruar për katër muaj në Kosovë për projektin Shoqëria Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ) në këtë vend. Atje, ajo kishte njoftuar shumë gra me karakter të fortë.
Në këtë shtet të vogël ballkanik, gjermanja 25-vjeçare kishte qëndruar për një praktikë në kuadër të Shoqërisë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ), lidhur me projektin për të promovuar konkurrencën e sektorit privat në zonat rurale.
Me kolegen e saj Mirka Henninger nga Emmendingen, Fabienne Daub ka intervistuar 17 gra kosovare, të cilat projektet e tyre i kanë promovuar me qëllim që rezultatet e punës së tyre të jenë të qëndrueshme dhe të suksesshme. Puna e tyre ka të bëjë në fushën e zhvillimit të softuerit dhe turizmit, përpunimin e metalit, vreshtarisë dhe prodhimeve të tjera bujqësore e pyjore. Qëllimi i përbashkët i kësaj iniciative ka qenë forcimi i ekzistencës operacionale, që do të ndikonte në vetëpunësimin e më tepër grave, sidomos në zonat rurale.
„Shumica e grave në Kosovë, në të vërtetë janë në marrëdhënie pune, por mundi i tyre nuk paguhet sa duhet“, informon Fabienne Daub. Projekti i GIZ ngjallë shpresat për të ndryshuar ky imazh dhe njëherit, për të përmirësuar mundësitë porfesionale dhe punësimin e grave në vend. Fabienne 25-vjeçare, gjatë qëndrimit në Kosovë kishte mësuar se shumica e të rinjve janë duke ia kthyer shpinën vendit, pasi nuk kanë perspektivë në vendlindje. Projekti në të cilin kishte marrë pjesë ajo, do të ndikojë në parandalimin e këtij fenomeni.
Intervistat të cilat i kishte zhvilluar me gratë në Kosovë, nga shtypi vendor kanë hasur në vëmendje duke u shtypur nëpër gazeta. Së bashku me Mirka Henninger dhe një praktikante tjetër, ajo kishte publikuar një broshurë në gjuhën shqipe, serbe e angleze. Ajo do t`i inkurajojë gratë që të vetëpunësohen dhe të informojnë lidhur me rezultatet e zhvillimit të projektit.
„Jeta ime ka ndryshuar pozitivisht, nga momenti që e hapa biznesin tim“, është cituar për shembull në broshurë kosovarja 52-vjeçare Nazlie Gerguri. Ajo jeton në një fshat, në afërsi të Prishtinës, ndërsa në profesionin e saj si infermiere, nuk kishte mundur të gjejë punë. Nazlija kishte filluar me përpunimin e pemëve dhe perimeve duke themeluar sipërmarrjen e saj, e cila prodhon specialitete vendore si psh turshi, marmelatë apo ajvar. Por, shitja e mallit të saj në treg është shumë e vështirë, pasi atje zakonisht shesin burrat. Pasi edhe nëpër shitoret e ndryshme malli i saj nuk pati sukses, ajo vendosi që produktet saj t`i reklamojë përmes Facebookut.
Kjo ishte një mënyrë e suksesshme, pasi i kishte bindur klientët se produktet e saj mund të krahasohen me kualitetin dhe çmimin e prodhimeve më të njohura ndërkombëtare. Motoja e përvojës së saj është: „Unë vetëm mund t`i këshilloj të gjitha gratë që të përpiqen të ndërtojnë diçka në mënyrë të pavarur dhe kështu të japin një kontribut për shoqërinë. Edhe po të mos kenë ndonjë kualifikim formal: Po të jesh e motivuar, suksesi nuk mungon“.
Me njerëzit në Kosovë, Fabienne Daub ishte marrë vesh për mrekulli në gjuhën gjermane e angleze, ndërsa i kishte ndihmuar edhe njohja e gjuhës ruse të cilën e kishte mësuar dhjetë vite në shkollë. „Me këtë gjuhë mund të kuptohesha shumë mirë serbisht“, pohon për „Badische Zeitung“ inxhinierja e re, duke vënë një theks të veçantë në mikpritjen dhe zemërgjerësinë kosovare, njofton „Shtegu.com“.
Në Hamburg ajo është duke studiuar ekonominë sociale, ndërsa është në përgatitje e sipër të magjistraturës për studime ndërkombëtare „Public Policy“. „Me gjithë dëshirë do të doja edhe një herë të kthehem në Kosovë, pasi është një vend i bukur dhe interesant, me njerëz të mrekullueshëm“, ka përfunduar Fabienne Daub.