Afrim Gashi zgjidhet kryetar i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut
Të martën, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut ka zgjedhur Afrim Gashin për kryetar të tij, ndërsa janë verifikuar edhe mandatet e deputetëve të dalë nga zgjedhjet parlamentare më 8 maj
Afrim Gashi u zgjodh për kryeparlamentar me 76 vota ndërsa gjashtë ishin kundër.
Pas dhënies së betimit, Gashi tha se detyrën e kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut do ta kryejë me “përkushtim, në të mirë të vendit dhe të qytetarëve duke respektuar në maksimum të drejtën e lirisë së shprehjes të të zgjedhurve të popullit”.
Për kandidaturën e Gashit votuan deputetët e VMRO DPMNE-së, të koalicionit VLEN dhe lëvizjes ZNAM, ndërsa kundër ishin deputetët e partisë E Majta.
Debati është zhvilluar kryesisht mes deputetëve të VMRO DPMNE-së dhe të partisë E Majta e cila akuzoi VMRO-në për “tradhti” dhe “kosovarizimin” e institucionit ligjvënës.
Deputetët e Frontit Europian që drejtohet nga Bashkimi Demokratik për Integrim nuk morën pjesë as në aktin e votimit e as një debatin që ka zgjatur rreth katër orë.
Gashi deri të hënën ka qenë kryetar i partisë Alternativa, kur dha dorëheqje pas nominimit të tij për kryetar të Kuvendit.
Ai ishte deputet në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut në dy mandate 2016-2020 dhe 2020-2024. (evropa e lire)
https://www.evropaelire.org/a/seanca-konstituive-kuvendi-maqedonas-/32966935.html