Të rinjtë nga mosha 15 deri në 17 vjeç, edhe pse sipas ligjeve në Maqedoni duhet të jenë në shkollë, ata ende konsiderohen të aftë për punë dhe disa prej tyre janë të përfshirë në tregun e punës. Analiza e Entit Shtetëror të Statistikave (ESHS) ka treguar se numri i përgjithshëm i popullsisë së punës nga mosha 15 deri në 17 vjeç është 61.211, prej të cilëve 51 për qind janë meshkuj, ndërsa 49 për qind janë femra. “Fjala është për një popullsi që sipas kuadrit ligjor për arsimin e mesëm të detyruar, duhet të përfshihet në procesin arsimor. Por, duke pasur parasysh treguesin se rreth 15 për qind e të rinjve të moshës së arsimit të mesëm nuk janë të regjistruar në shkollën e mesme, po hetohet se sa prej tyre janë të përfshirë në tregun e punës”, thuhet në raportin e ESHS-së.
Nga totali i popullsisë së aftë për punë të moshës 15 vjeç, që është 20.212 persona, dy për qind ose 339 janë aktivë në tregun e punës dhe prej tyre 20 për qind ose 69 janë të punësuar, pjesa tjetër, pra 80 për qind ose 270 të rinj janë të papunë.
Popullsia totale e punës në moshën 16 vjeç është 20,460 njerëz. Prej tyre, 586 persona ose tre për qind janë aktivë në tregun e punës. Në kuadër të popullsisë aktive janë të punësuar 21 për qind ose 125 persona, të papunë janë 79 për qind ose 461 të rinj.
Ndërsa për adoleshentët 17 vjeç janë gjithsej 20.539 persona. Prej tyre, 966 persona ose pesë për qind janë aktivë në tregun e punës, nga të cilët 271 ose 28 për qind janë të punësuar, ndërsa 695 ose 72 për qind janë të papunë. “Ndër fëmijët e moshës 15 vjeç që kanë qenë aktiv në tregun e punës në vitin 2021, 74 për qind janë të përfshirë në sektorin e bujqësisë, pylltarisë dhe peshkimit. Ndërsa 12 për qind e fëmijëve ishin të punësuar në industrinë e prodhimit, katër për qind në aktivitete shërbimi të paidentifikuara, tre për qind në tregtinë me shumicë dhe pakicë, riparimi i mjeteve motorike dhe motoçikletave, ndërsa në sektorë të tjerë të aktivitetit pjesëmarrja e tyre varion nga zero deri në një për qind”, sqarohet në analizë.
Ndërkaq, për fëmijët 16 vjeçarë të përfshirë në tregun e punës, 49 për qind punonin në sektorin e bujqësisë, pylltarisë dhe peshkimit, 16 për qind në industrinë përpunuese, ndërsa 11 për qind punonin në objekte akomodimi dhe shërbime ushqimore.
Në mesin e fëmijëve të moshës 17 vjeç, 27 për qind punojnë në sektorin e bujqësisë, pylltarisë dhe peshkimit, 21 për qind në objektet e akomodimit dhe aktivitetet e shërbimit të ushqimit, 16 për qind në industrinë përpunuese, 14 për qind në tregtinë me shumicë dhe pakicë, riparimi i mjeteve motorike dhe motoçikletave. “Mund të thuhet se përqindja e fëmijëve pa arsim ose me arsim fillor jo të plotë është e lartë. Në mesin e popullatës aktive të papunë të moshës 15 vjeçare, gjashtë për qind nuk kanë arsim, dhe shtatë për qind të tjerë nuk kanë përfunduar arsimin fillor. Nga e njëjta kategori e 16-vjeçarëve, pesë për qind nuk kanë arsim, shtatë për qind me arsim fillor jo të plotë, ndërsa 88 për qind e mbetur kanë arsim fillor. Në grupin e të rinjve aktivë të papunë të moshës 17 vjeçare, katër për qind nuk kanë arsim, pesë për qind nuk kanë arsim fillor, 78 për qind kanë arsim fillor, ndërsa 12 për qind kanë arsim të mesëm”, shtoi raporti i ESHS-së.
Ndër të tjera, komunat me pjesëmarrje më të madhe në popullatën të aftë punuese të moshës 15 vjeçare janë Kumanova, Tetova, Prilepi, Manastiri, Gazi Baba dhe Çairi. Komunat me përqindje më të madhe të popullsisë të aftë punuese të moshës 16 vjeçare janë Gazi Baba, Kumanova dhe Tetova. Në grupin e popullsisë së aftë për punë të moshës 17 vjeçare, komunat me përqindje më të lartë janë Gazi Baba, Çairi, Manastiri, Kumanova dhe Tetova. Komunat e Dollnenit, Jegunovcit, Karbincit, Krivogashtanit, Tearcës, Sopishtës dhe Radovishit kanë përqindje më të madhe të popullsisë aktive të moshës 17 vjeçare. (koha.mk)