A po zhduket bukurshkrimi ?!

108 Lexime

Sipas një sondazhi, bukurshkrimi i nxënësve gjermanë është në rënie e sipër. Gjithashtu në Zvicër, bukurshkrimi i nxënësve është dobësuar, thonë ekspertët
Tekste të palexueshme, mbajtje e gabueshme e lapsit, duar të shtrënguara: Shkrimi me dorë për shumë nxënës gjermanë është shndërruar në një problem. Gjatë një sondazhi të shoqatës së mësuesve gjermanë, 79 për qind e mësuesve të anketuar, të shkollave të mesme, kanë deklaruar se bukurshkrimi i nxënësve të tyre është dobësuar viteve të fundit. Në shkollat fillore përqindje e rënies së bukurshkrimit është 83. Si problem më të madh, mësuesit kanë paraqitur tekstet e palexueshme dhe shpejtësinë e pamjafueshme për të shkruar.
Jürg Keller, didakt për shkrim dhe mësues, ka vërtetuar se me kohë, edhe nxënësit zviceranë kanë probleme gjatë shkrimit: „Pasi në ditët e sotme, nxënësit nëpër shkolla fillore pothuajse komunikojnë vetëm përmes Smartphonëve apo kompjuterëve, ata nuk kanë më rutinë për tu përkujdesur për bukurshkrim“. Për shkak të ofertave të shumta digjitale, ata nuk e shohin të arsyeshme të përdoret bukurshkrimi. Për Keller, kjo është një tendencë në rritje dhe për keqardhje, pasi: „Rënia e përdorimit të bukurshkrimit është një humbje e madhe kulturore“.
Por, kjo rrjedhë e nxënësve mund të ketë pasoja të rënda. „Ai që në shkollë fillore nuk mëson bukurshkrimin, gjatë ndonjë provimi shkrimi i tij mund të mos jetë i lexueshëm dhe të dështojë“, deklaron Bruno Mock, lektor i Fakultetit pedagogjik në Thurgau të Zvicrës. Shkrimi i dorës gjithashtu ndihmon në mësim më kualitativ, mendon Keller pasi me anë të lëvizjes së dorës, informatat mund të mbahen mend më mirë. Edhe një studim amerikan ka dëshmuar se studentët të cilët i kanë bërë provimet me shkrim të dorës, kanë kaluar më mirë se atat të cilët janë përgjigjur përmes laptopit.
Lidhur me këtë, enkas për „Shtegu.com“ është pronocuar edhe Prof. Dr. Sefer Tahiri, profesori i shkencave të komunikimit në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, i cili pohon: Përdorimi enorm i rrjeteve sociale, në veçanti fejsbukut dhe twiterit, gjithsesi se ndikojnë negativisht në të shkruarit bukur në gjuhën shqipe apo në gjuhë tjera. Fakti që komunikimi në rrjetet sociale është dinamik dhe intensiv, ndikon që nerëzit të shkruajnë shpejt dhe me shkurtesa, shpeshë edhe duke bërë gabime gjuhësore, duke mos përdorur „ç“ dhe „ë“, dhe të gjitha këto më pas reflektohen në procesin e të shkruarit akademik si studentë.