A është kjo nënë shqiptare njeriu më i moshuar në planet ?!

138 Lexime

115-vece-600x45003:15:47         2016-01-31

 

 

Rrëfimi i saj, jeta e mbushur me shumë vuajtje dhe lumturia e 70 nipërve e mbesave

NËNA – E LINDUR NË VITIN 1900, MË 9 MARS, MBUSH 115 VJEÇE. KJO ËSHTË GJELA MHILLI, E CILA NË NJË RRËFIM TË SAJ, TREGON KALVARIN E GJATË TË JETËS SE KALUAR NË KËTO DY SHEKUJ

NIPËRIT – NËNË GJELA, SIÇ NJIHET NDRYSHE NGA BANORË TË FSHATIT TARAZH TË RRETHIT MIRDITË RRETHOHET NGA 70 NIPËR, MBESA DHE STËRNIPËR. AJO LINDI NË QYTETIN E PUKËS DHE U RRIT JETIME

VËSHTIRËSITË – NËNË GJELA PREK EDHE MOMENTIN E VDEKJES SË BASHKËSHORTIT. PËR TË KA QENË NJË PERIUDHË MJAFT E VËSHTIRË, PASI I DUHEJ TË RRISTE 4 FËMIJË JETIMË, E VETME

 

115-vjeqarja-ne-mirdit-pjesa-e-par.mp4.Still006

 

 

E lindur në vitin 1900, më 9 mars, mbush 116 vjeç. Kjo është Gjela Mhilli, e cila, në një rrëfim të saj tregon kalvarin e gjatë të jetës së kaluar në këta dy shekuj. Ky është një rast unik, i cili mbase mund të jetë edhe për rekordet e “Guinness” pas gjithë vuajtjeve që jeta i ka sjellë dhe sëmundjet që ka kaluar, ajo sot gëzon shëndet të plotë. Nënë Gjela, siç njihet ndryshe nga banorë të fshatit Tarazh të Rrethit të Mirditës rrethohet nga 70 nipër, mbesa dhe stërnipër. Ajo lindi në qytetin e Pukës dhe u rrit jetime. Punët e shumta që duheshin bërë në familjen e të afërmve që e rritën, bënë që ajo të mos mund të martohej deri në një moshë madhore për atë kohë, që ishte 25 vjeçe. Nënë Gjela rrëfen se kur u martua, nuk e kishte parë më parë burrin e saj, por e ka njohur vetëm në ditën që vunë kurorën. “Hera e parë që jam takuar me të, ka qenë dita e dasmës. Rrobat më të bukura që kisha ditën kur u bëra nuse, sot mund të quhen lecka, dhe këto ishin gjithçka që kisha. Me vetëm këtë veshje dhe pa asgjë tjetër me vete, fillova një jetë që do pasohej me mjaft vështirësi”, thekson nëna 115-vjeçare. Në atë moshë, nënë Gjela u martua me një burrë shumë më të madh dhe jetuan së bashku për 16 vite, pasi bashkëshorti i vdiq si pasojë e një sëmundje. Në këtë periudhë, arriti të kishte gjashtë fëmijë, nga të cilët katër rrojnë edhe sot. Në këto kushte, fati deshi që t’i përsëritej historia e jetës dhe të rriste fëmijët jetimë pa baba, ashtu siç ishte rritur edhe ajo vetë. “Unë gjithë jetën jam rritur me sakrifica të mëdha dhe kam punuar me mish e shpirt për të siguruar jetesën. Të rrisësh fëmijët e vetme, edhe për kohën e sotme është sakrificë, ajo që unë kam bërë gjithnjë është se i jam përveshur punës, pasi asgjë nuk vjen nga qielli”, rrëfen 115-vjeçarja. Për të kuptuar se cili është sekreti i jetëgjatësisë, nënë Gjela, sot 115 vjeç, tregon se ka ngrënë çdo lloj ushqimi, por gjithnjë është munduar që të përdorë sa më pak ilaçe. “Do t’i thosha çdo njeriu që kura më e mirë për trupin e tyre, është të mos rrinë në një vend, por të gjejnë gjithmonë diçka me se të merren. Puna, sado e lodhshme të jetë, asnjëherë nuk të bën dëm, por të jep forcë (dhe mbledh gishtin si për të treguar forcën që mbartin 115 vite mbi supe). Rastet kur jam sëmurë, të vetmet kura për mua kanë qenë hithrat dhe leshi i deleve”, thotë Gjela. Sot, siç thotë ajo, falë Zotit nuk ka asnjë problem shëndetësor, ndonëse është 115 vjeçe. Ajo shpjegon vetitë kuruese që kanë hithrat, të cilat sot nuk përdoren më dhe kjo është për të ardhur keq. Nënë Gjela prek edhe momentin e vdekjes së bashkëshortit. Për të ka qenë një periudhë mjaft e vështirë, pasi i duhej të rriste 4 fëmijë jetimë, e vetme. Ajo tregon se pas vdekjes së burrit, për 40 vite me radhë ka pirë duhan dhe sipas saj, duhanpirja nuk ka ndikuar negativisht tek ajo. “Ndarja nga jeta e burrit ka qenë periudha më e vështirë për mua. Bëhet fjalë për kohën kur vendi drejtohej nga mbreti Zog. Në atë kohë nuk kishim me se të ushqeheshim, pasi as bukë nuk kishte, madje shpesh asokohe në fshat njerëz vdisnin nga uria. Mbaj mend një rast që kemi kaluar një javë pa ngrënë, pasi në shtëpi nuk kishim asgjë. Ajo kohë mos ardhtë më” thotë Nënë Gjela, pasi shumë njerëz që sot ankohen për kushte dhe skamje, nuk e dinë në të vërtetë kuptimin e fjalës mjerim. Veç kësaj, nëna Gjela, ndryshe nga një pjesë e madhe e shqiptarëve, e quan të artë kohën e komunizmit. Sipas saj, kur drejtimin e vendit e mori në dorë Enver Hoxha, u përmirësua infrastruktura, në çdo shtëpi kishte dritë. “Njerëzit mund ta kujtojnë në mënyra të ndryshme, por ishin disa ndryshime që te të gjithë u përjetuan më së miri. Në kohën kur erdhi komunizmi, në çdo shtëpi filluan të vinin dritat, rrugët filluan të rregulloheshin, vjedhjet u zhdukën dhe si rrjedhim jetesa u përmirësua. Shumë njerëz kam dëgjuar që e shajnë atë periudhë, por unë që kam provuar edhe vitet më parë, mund të them që fjala ‘vdekje nga uria’ u hoq”, thotë nëna 115-vjeçare me krenari. Gjela Mhilli në mars mbush 116 vite, dhe pa mëdyshje mund të quhet një monument i gjallë që mbart shumë histori. Të jesh 115 vjeçe, të gëzosh shëndet të plotë e të ecësh me këmbët e tua, të gëzosh respektin e mbi 70 fëmijëve, nipërve dhe stërnipave, kjo është gjithçka çfarë Zoti mund të të japë.

 

(Artikull i huazuar nga Gazeta Shqip e datës 2 Mars 2015)

 

„Shtegu.com“