A duhet rregullat në islam t’u përshtaten kohës?!

84 Lexime

Mbi 900 të vdekur gjatë pelegrinazhit të Haxhit në qytetin e shenjtë të Mekës shënon tragjedinë më të rëndë në 25 vitet e fundit si pasojë e tollovisë dhe shtyrjeve të mëdha. Kjo ka hapur debat brenda komunitetit të dijetarëve islamë disa prej të cilëve janë për rishikimin e rregullave juridike të cilat lidhen me organizimin e jetës shoqërore në rrethanat bashkëkohore.

Dijetarë islamë nga Kosova, Shqipëria, dhe Maqedonia për Kosova Info konsiderojnë se dispozitat e rregullave islame mund të ndryshojnë me ndryshimin e kohës.

Profesori Xhabir Hamiti tha se teksti i Kuranit është i shenjtë, thëniet dhe porositë autentike të dërguarit Muhammedit a.s. janë burime të pa diskutueshme për ne si ithtarë të Islamit.

“Mirëpo mendimet e dijetarëve të kohërave të ndryshme mbi tekstin e Kuranit dhe mbi thëniet e Muhammedit a.s. nuk janë të shenjta, kuptoni këtë përgjithmonë ju lutem!!”, tha Hamiti.

Por komentet dhe opinionet e njerëzve mbi urtësinë e shenjtë Islam sipas tij janë relevante, të sakta dhe jo të sakta.

“Ato mund të jenë të dobishme për një kohë, por të zhvleftësohen për një kohë tjetër! Me fjalë tjera ndërhyrja dhe mospajtimi ynë ndaj mendimeve dhe qëndrimeve të mëhershme njerëzore mbi shpjegimin e Islamit, të nxjerra dhe të shtruar në një kohë dhe vend të caktuar, nuk është mëkat, me asnjë normë fetare islame e as njerëzore. Mendimet e asnjë dijetari të sotëm dhe të kaluar nuk janë të shenjta dhe të pandryshuara”, tha Hamiti.

Në vijim ai tha bindja se X dijetari Islam, i sotëm apo i kaluar është më i saktë se të tjerët, është e drejtë e çdo njërit.

“Mirëpo orvatja për t’i bindur të tjerët se ai është i vetmi dhe pa alternative është gabim dhe plotësisht e pa drejtë, sepse pikërisht kjo e ka quar shoqërinë islame të ndahet në grupe dhe fraksione të ndryshme. Dija absolute i takon vetëm Krijuesit tonë!”, ka thënë Hamiti.

Por Imami nga Tirana, Ahmet Kalaja, thotë se vet feja Islame ka në vetvete që të gjitha hapësirat që rregullat edhe ligjet e saj të jenë jo vetëm të absorbuara pavarësisht zhvillimit edhe ecjes përpara që bën njerëzimi në të gjitha sferat.

“Skolaristet islame adekuatet prej tyre profesionistët dinë shumë mirë ta bëjnë këtë gjë sepse feja orientimet i ka të qarta për këtë pa pasur nevojë të filozofojmë sipas modelit të rrahjes së ujit në havan apo të bërjes vrimë në ujë që të dyja ekstreme të urryera në fe. Shkurt pa dalë nga parimet orientimet po edhe duke ditur si të përshtatemi. Islami do prej nesh mos ta trajnojmë fenë si dogmë e thjesht e ngurtë po si sistem jete sipas rregullave të vëna prej saj”, thotë ai.

Ndërkaq Jusuf Zimeri, drejtori i Sektorit fetaro-arsimor pran BFI dhe anëtar i Mexhlisit të Fetvave pran Riasetit të BFI- Shkup thekson se kjo çështje, jo vetëm që është shumë e përpiktë dhe precize, por është edhe një çështje shumë delikate dhe e ndjeshme, andaj studiuesit islamë kur kanë trajtuar këtë tematikë e kanë trajtuar me shumë vëmendje.

Si rrjedhojë e këtij studimi në mesin e juristëve islam, është i njohur parimi apo principi, “dispozitat ndryshojnë me ndryshimin e kohës”.

“Është fakt i pa kontestuar se islami përveç se është besim dhe bindje, ai është edhe sistem juridik që i mundëson shoqërisë njerëzore funksionimin e saj, duke u përkujdesur për të drejtën e individit në shoqëri dhe anasjelltas.. Jurisprudenca islame e kodifikuar në ligje nënkupton jo vetëm ruajtjen e të drejtave elementare dhe funksionimin e shtetit juridik, por mëton edhe në ruajtjen e vlerave etike. Këto vlera janë garanci e vlefshmërisë së përhershme e jurisprudencës islame si në faktorin kohë ashtu edhe faktorin vend”, thotë ai.

Zimri konsideron se juristët islam kanë për obligim që të gjejnë zgjidhje për ballë sfidave që na paraqiten me kohën, andaj ata ishin vigjilent kur ballafaqoheshin me sfidat, përmes principit “dispozitat ndryshojnë me ndryshimin e kohës”.

“Detyrimisht duhet theksuar se, ky princip nuk është universal siç pretendojnë disa të quajtur “studiues” në kohën bashkëkohore krejt me qëllim që të bëjnë modernizimin dhe përshtatjen e islamit me kohën. Kjo formë e të kuptuarit të këtij principi, paraqet devijim të plotë të islamit dhe dispozitave juridike islame. Ky princip, nuk është leje e hapur për ti futur duart gjithkush që pretendon se ia vlen kësaj pune. Mesazhi i këtij principi dikton faktin se disa dispozita mund të ndryshojnë me ndryshimin e kohës, e këto ndryshime mund të paraqiten në rastet kur paraqiten faktorët vendimtarë për ndryshimin e dispozitës, siç janë, ekzistimi dhe mos ekzistimi i motivit, tradita, domosdoshmëria dhe faktori i preventivës”, thotë Zimri.

Sipas tij tek juristët islam është i njohur fakti se, dispozita qarkullon me motivin në ekzistim dhe mos ekzistim. Kjo nënkupton se nëse ekziston motivi, atëherë detyrimisht vërtetohet edhe dispozita, e nëse nuk ekziston motivi, atëherë nuk ekziston edhe dispozita.

“Mirëpo ekzistojnë raste kur motivi është i përhershëm dhe i pa ndryshueshëm, që nënkupton se ai asnjëherë nuk humbet e as nuk ndryshon, e në këtë rast dispozita jo vetëm që është e vërtetuar dhe e përhershme, por edhe nuk mund të ndryshojë në asnjë kohë dhe vend. Motivi i të këtyre veprimeve është i përhershëm dhe stabil, andaj edhe dispozita e këtyre veprimeve është e përhershme dhe e pa ndryshuar”.

Mirëpo, ekzistojnë raste kur motivi është i përkohshëm dhe relativ, atëherë edhe dispozitat mund të ndryshojnë me ndryshimin e kohës.

“Për në fund, po theksoj se dispozitat që janë të vërtetuara me argumente të prera autentike, janë të pa ndryshueshme në kohë dhe në vend, kurse dispozitat që janë si rezultat i ixhtihadit – përpjekjes së dijetarëve islam mund të ndryshohen në kohë dhe vend, por assesi të largohen nga principet dhe fryma islame”. /KI/