Rummenigge vulos të ardhmen e James

Shefi i Bayern Munchen, Karl-Heinz Rummenigge, është i bindur se James Rodriguez do të vijojë të jetë pjesë e klubit bavaraez edhe sezonin e ardhshëm, pavarësisht se huazimi 2-vjeçar nga Real Madridi përfundon këtë verë. James u bashkua me Bayern në verën e vitit 2017 dhe ka pasur një rendiment mjaft pozitiv, me 10 gola e 15 asiste në 38 ndeshje Bundeslige deri tani.

Mesfushori 27-vjeçar ka qenë mjaft i rëndësishëm në ringjalljen e Bayern-it (titullar në 5 ndeshjet e fundit, me 3 asiste), që tashmë ka kapur Borussia Dortmundin në krye të renditjes. Kjo ecuri ka bërë që Rummenigge të flasë hapur: “Jam tifoz i James. Ai ka një të majtë të mrekullueshme dhe është lojtar i klasit botëror, për mendimin tim. Kemi opsionin për ta blerë përfundimisht deri më 15 qershor, ndaj ka goxha kohë.

“Megjithatë, duhet ta them se të gjithë jemi të lumtur me të, ndaj mendoj se James do të qëndrojë me ne. Jam i sigurt që edhe Niko Kovac ka të njëjtin mendim për cilësitë e James. Nuk mendoj se ekziston ndonjë problem mes tyre”.

Në verë Bayern ka të drejtën ta blejë yllin kolumbian për 42 milionë euro. /Koha-mk

Please follow and like us:
183547
Top