Ja muhabetet dhe brengat më të shpeshta të refugjatëve në Gjermani

16:14:17                  2017-12-14

 

 

 

Mbi refugjatët është folur shumë deri më tani. Debati për lejeqëndrim të rregullt për të afërmit e refugjatëve bile ka shkaktuar edhe dështim të formimit të koalicioneve të partive politike gjermane. Por, çfarë mendojnë azilkërkuesit dhe refugjatët personalisht?

 

Këtë e dëshmojnë rezultatet e publikuara gjatë të enjtes së kaluar të studimit me titull: „Si të realizohet integrimi? Azilkërkuesit mbi kushtet e jetesës në Gjermani dhe perpsketivat e integrimit në vend“, të cilin e kanë realizuar Këshilli Ekspertëve të Fondacioneve Gjermane për Integrim dhe Migrim (SVR) , në bashkëpunim me Fondacionin gjerman Robert-Bosch. Gjatë kësaj janë intervistuar 62 persona.

 

„Ka rend dhe ligje. Gjermania ka shumë ligje“, ka pohuar një grua 37-vjeçare nga Afganistani. Në Afganistan asnjëherë nuk kishte mundur të flejë e qetë për shkak të situatës së tensionuar të sigurisë, „këtu, kur natën e vendos kokën në jastëk, kokën e keni të qetë dhe keni një ndjenjë të rehatshme“.

 

Dëshira më e flaktë e azilkërkuesve gjatë intervistës ka qenë ajo e punësimit, për tu bërë i pavarur në aspektin financiar, shkruan „Huffington Post“, përcjellë „Shtegu.com“. Shumica e tyre, varshmërinë nga entet sociale e vlerësojnë si të pakëndshme dhe pjesërisht të turpshme. Shumica thonë se energjinë e tyre më me dëshirë do ta shpenzonin në punë se sa të sillen rrugëve pa arsye. Përpos pavarshmërisë finaciare, ata punën e shohin edhe si mundësi që të krijojnë kontakte sociale, të përvetësojnë gjuhën gjermane dhe „diçka t`i kthejnë“ shoqërisë.

 

Sipas studiuesve, disa të tjerë shpresojnë se më tepër gjasa për të qëndruar në vend kanë përmes fillimit të trajnimit. Edhe pse shumica e 62 të anketuarve nga Siria, Afganistani, Pakistani, Somalia, Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia kanë shprehur dëshirën për punë, ata nuk janë përcaktuar saktësisht se për çfarë pune do të konkurronin.

 

Disa nga refugjatët janë ankuar për izolim social. Në të shumtën e rasteve, ata i njohin vetëm përfaqësuesit zyrtarë dhe ndihmësit vullnetarë të tyre, ndërsa nuk kanë raporte private me banorët gjermanë. Disa të tjerë janë shumë të lumtur kur në Gjermani gjejnë kontakte me bashkatdhetarë të tyre. Por, kjo nuk vlen për të gjithë, përcjellë „Shtegu.com“. Para së gjithash, personat nga rajonet e luftës ndonjëherë më me dëshirë mbajnë distancë ndaj bashkatdhetarëve të tyre. Kjo vlen posaçërisht për personat e pakicës religjioze apo për homoseksualët.

 

Refugjatët nga Siria dhe rajonet tjera të konfliktit, të cilët presin anëtarë të tjerë për bashkim familjar, dëshmojnë brengën e madhe për të afërmit, të cilët gjenden në vendlindje apo në vende të tjera tranzit, sa që nuk mund të koncentrohen në përvetësimin e gjuhës gjermane apo në kërkim të ndonjë vendi të punës. Nga intervista me sirianët është konstatuar se ndarja nga familjarët për këta persona është posaçërisht emocionale.

 

Azilkërkuesit me perspektivë të dobët për strehim, sjellin probleme të tjera tek ta, pasi ndjehen si azilkërkues të shtresës së dytë, kur është fjala për përkujdesje mjekësore, kurse të gjuhës dhe ndërmjetësim për ndonjë vend pune. Prandaj studiuesit kanë konstatuar se për tu arritur integrimi i dëshiruar, procedura e shqyrtimit të azilit duhet të përshpejtohet. (Shtegu.com)

Top