Debat i shpifur

Ibrahim Rexhepi

 

 

 

 

A është bërë mirë, apo keq me dështimin e koncesionimit të Brezovicës? Pa dyshim se çdo dështim e përcjellin edhe dëmet që vijnë, nga pamundësia për arritjen edhe të objektivave të tjerë, si në investime, hapjen e vendeve të punës, apo zhvillimin sektorëve të ndërlidhur me projektin. I tillë është edhe rasti i Brezovicës.

Po të mos dështonte procesi, atëherë Kosova do të kishte shpresë për thithjen e rreth 410 milionë eurove investime të huaja, të zhvillonte një ndër qendrat më të mëdha turistike në rajon me një sipërfaqe mbi tremijë hektarë dhe do të punësonte, jo vetëm dymijë veta në këtë qendër, por edhe shumë të tjerë në bujqësi, transport, apo shërbime publike – sektore që do të ishin në mënyrë direkte të ndërlidhura me turizmin.

Pra, dëmi është evident. Mirëpo, duhet pasur parasysh se nuk ka dështuar projekti për këtë qendër të turizmit malor, por vetëm një përpjekjet për implementimin projektit. Dhe, më mirë që ka dështuar në këtë fazë, se të niste puna e më vonë të vërehej se e tëra po zhvillohet keq.

Ndërkaq, dështimi më i madh është në rrafshin tjetër- asnjëra Qeveri, që nga shpallja e pavarësisë, nuk është dëshmuar e aftë për të udhëhequr projekte të mëdha dhe serioze. Pra, Qeveria po shndërrohet në një partner joserioz për negocim dhe e pa aftë për menaxhimin e tenderëve kapital.

Por, është edhe një moment karakteristikë në këto zhvillime. Në opinion është shtruar pyetja dhe janë bërë debate se a është në rrugë të dështimit edhe projekti i termocentralit “Kosova e Re”, njësoj sikurse Brezovica. Një debat plotësisht i shpifur. Jo pse ai nuk mund të dështojë, por për faktin se këto dy projekte nuk mund të krahasohen për nga rëndësia dhe impakti që kanë në zhvillimin përgjithshëm ekonomik. Prandaj, tenderi për ndërtimin e termocentralit të ri nuk guxon të dështojë me fajin Qeverisë së Kosovës. Në rast se ndodhë kjo, atëherë jo vetëm një ministër, por i tërë kabineti qeveritar duhet të ofrojë dorëheqje për shkak të paaftësisë për implementimin e projektit, mungesës së dijes për zgjedhjen e kompanisë implementuese dhe dëmit që i shkakton vendit në rrafshin ekonomik dhe social.

Duke pasur parasysh vjetërsinë dhe amortizimin madh të kapaciteteve ekzistuese, është e qartë se me këtë dështim edhe më shumë do të përkeqësohej situata energjetike në vend, do të vihej në pikëpyetje secila normë e zhvillimit dhe e punësimit, madje, edhe linja interkoneksionit Kosovë- Shqipëri, e cilësuar si projekt që lidhë sistemet energjetike të dy vendeve do të mbetet e pashfrytëzueshme. Apo do të shfrytëzohet vetëm për importimin e energjisë elektrike të shtrenjtë nga vendet e treta.

Duke pasur parasysh se energjia elektrike është faktor determinues për mundësitë e zhvillimit ekonomik, atëherë termocentrali “Kosova e Re” nuk guxon të dështojë. Ndërtimi i tij duhet të nisë sa më parë, por gjithmonë në kuadër të konditave të pranueshme për tregun dhe për konsumatorin kosovar: me kosto të përballueshme dhe që nuk do të ketë ndikim të madh – të papërballueshëm në çmimin që paguan konsumatori i fundit, si edhe duke aplikuar standardet më të larta për mbrojtjen e ambientit.

Përderisa çmimi i një kilovati ndërlidhet edhe me normën e kthimit të investimeve, Qeveria duhet të ngul këmbë që ky kthim të bëhet për një periudhë më të gjatë kohore, ashtu që norma vjetore të jetë më e ulët.

Të shpresojmë se në këtë pikë kanë nisur të përafrohen qëndrimet e saja me atë që kërkon kompania e përzgjedhur – “Contur Global”. Ndërkaq, sa i përket ambientit, kompania e përzgjedhur për implementim premton se termocentralin e ri do të ketë një efiçencë më të lartë se 40 për qind, që do të thotë 10 për qind më pak dyoksid karboni për njësi të energjisë elektrike të prodhuar. Po ashtu, do të aplikohet metoda për kapjen dhe ruajtjen e karbonit, që është mjaft efikase për pastrim nga shkarkimet industriale dhe që mund ta reduktojë ndotjen edhe 33 për qind. Prandaj, nëse arrihen këto dy synime, nuk duhet humbur kohë. Ndërtimi i termocentralit të fillojë menjëherë.

Sipas kësaj është e qartë se edhe suksesi i qendrës së turizmit është ngushtë i lidhur me ndërtimin e termocentralit të ri, meqenëse qendra në Brezovicë e ardhshme nuk do të ndriçohet me qirinj, por me energji elektrike, po me këtë energji elektrike duhet futur në funksion edhe aparatura të shumta – duke filluar nga ski-liftët, e deri te frigoriferët, apo shporetet. Nuk ka asnjë logjikë që krejt ky furnizim të bazohet në energjinë e importuar, meqenëse kjo qendër duhet të jetë edhe si një treg i madh për produktet dhe shërbimet që ofrojnë kompanitë vendore. (Telegrafi)

Ibrahim Rexhepi
Top