Vozitësi i dehur kosovar shkakton aksident me tre të lënduar dhe dy vetura të dëmtuara

20:50:18                  2018-04-10

 

 
 
Mëngjesin e së martës, në një rrugë lokale në Unterentfelden, një vozitës kosovar ka humbur kontrollin mbi veturën e tij, duke shkaktuar aksident. Ai është futur në një kopsht duke dëmtuar dy vetura të parkuara. Vozitësi nuk ka qenë në gjendje të drejtojë veturën. Tre persona kanë pësuar lëndime të lehta.
 
Mëngjesin e së martës, një vozitës 28-vjeçar kosovar, rreth orës 02.45, ka qenë duke udhëtuar me një veturë të llojit „VW“ nëpër rrugët e Unterentfeldenit. Në rrugën „Badstrasse“ ai e ka humbur kontrollin mbi veturën e tij, ka hipur në trotuar dhe është futur në një kopsht të një ndërtese në afërsi. Me këtë rast, ai ka goditur dy pemë dhe dy vetura të parkuara.
 
Vozitësi dhe dy bashkudhëtarët e tij kanë pësuar lëndime të lehta, shkruan portali „Polizei News“, përcjell Shtegu.com. Dëmi i shkaktuar material llogaritet në rreth 80 000 franga.
 
Tek vozitësi kosovar është konstatuar prania e alkoolit në gjak, pasi testi ka dëshmuar prani të 1,4 promilave alkool. Policia zvicerna ia ka sekuestruar patenten e shoferit, ndërsa Prokuroria Lenzburg-Aarau ka filluar hetimet.
Top