Vlerat që nuk i çmojmë

11:45:14                  2018-11-10

 

 

Nëse një shtet nuk investon sa duhet për të afirmuar vlerat e popullit të vet, atëherë sigurisht që qarqe të caktuar “të interesuara”, do të investojnë për t’i mohuar ato, për t’ia vjedhur ose shtrembëruar historinë, figurat kombëtare dhe për të përhapur një “të vërtetë” tjetër…

Nga Daut DAUTI

BEKIMI I FAHRIUT DHE “KOSOVA” E BUXHOVIT: Para në muaji (4 tetor), erdhi në Shkup “Odiseu i Kosovës”. U promovua monografia kushtuar aktorit Bekim Fehmiu, shkruar nga gazetari dhe publicisti i njohur kosovar, Fahri Musliu, me qëndrim “të përkohshëm” në Beograd si korrespodent i gazetës “Rilindja”. Në promovimin e monografisë autori foli më gjerësisht për shumë detaje të jetës dhe karrierës së aktorit, i cili edhe jetën e pati si me narracion filmik, dhe iku si shumë heronj filmash. E kisha patjetër ta kem këtë libër, i cili me vonesë vjen në Shkup(është botuar para tri vitesh).

Të gjithë e kemi çmuar aktorin Bekim Fehmiu, e kemi dashur për gjithë atë që bëri në kinematografi, duke thyer kufijtë gjeografikë dhe duke bërë ëndrrën zhgjëndërr. Në ish-Jugosllavi, jo që ishte aktori më i njohur shqiptar, por ishte edhe aktori më i famshëm i ish-Jugosllavisë jashtë vendit, por siç lexova pastaj në monografi nga shumë kineastë, gazetarë, aktorë, regjisorë…, ka qenë më i famshmi nga blloku i lindjes në kinematografinë evropiane dhe të Holivudit. E përpiva për pak ditë çdo tekst të monografinë 600-faqëshe duke dashur të zbuloj gjëra të panjohura për aktorin e madh. Aktorin që në film ishte çfarë ishte Aleksanër Moisiu në teatër. Më fascinon përkushtimi i kolegut Fahri Musliu që ka punuar katërve e gjysmë, siç tha vetë gjatë promovimit, për të përmbledhur sa më shumë tekste që janë shkruar për jetën karrierën e Bekimit si dhe pjesë të memoareve nga vetë Bekimi, Në punë mbresëlënëse pa dyshim. (Shoh se në të është përfshirë edhe një tekst imi  që e kisha shkruar me rastin e vdekjes tragjike(botuar në gazetën “Koha e Re”).  Në këtë monografi i kërkoja përgjigjet për disa çështje që mbeten të pasqaruara në të gjallë të aktorit lidhur me karrierën e tij(për këtë kam ndërmend  të shkruaj në ndonjë rast në mënyrë të veçantë) dhe pas më imponohen pyetje të tjera gjatë leximit, siç është një lloj injorimi institucional i figurës  së tij në Kosovë. Autori është një ithtar  i flaktë që të ruhet madhështia e figurës së Bekim Fehmiut, si në Prizren, ku në lumin Lumbardhi u derdh urna me pluhurin e trupit të tij të kremuar(si amanet), por edhe  më tepër, në Kosovë. Në libër është prekur mjaft çështja e këtij injorimi të pashpjegueshëm. Nuk e kisha ditur, më habit se si nuk më kishte rënë në sy ai detaj, se Kryetari i Parlamentit të Kosovës as në minutë heshtje nuk kishte bërë. Sa qytetarë vdesin, s’mundet Kuvendi të prishë ritmin e punës…, kështu disi ishte arsyetuar ai, por gjithsesi, ndërmend sigurisht kishte pasur një mëkat të Bekimit, një mëkat, për të cilin isha tepër kureshtar të gjej përgjigjet midis rreshtash, nëse jo drejtpërdrejt…dhe për këtë në ndonjë rast frymëzimi dhe kohë pa ngarkesa politike, kam ndërmend t’i kthehem.

Se Kosova nuk bën më shumë për emrin më të shquar të aktrimit që ka dhënë, i cili gjithkund ku ka shkuar ka mbrojtur me ngulm identitetin dhe kombësinë e tij, madje me çmim që ta humbë karrierën, kjo është një tezë e autorit të monografisë që duhet marrë seriozisht. Çdo vend i vogël do të kishte dashur ta kishte një Bekim Fehmiu të madh dhe me emrin e tij të ndërtojë institucione, përmendore, memoriale…me të cilat do ta respektonte veprën e tij por dhe do të tërhiqte vëmendjen e vizitorëve. Kjo gjë në Kosovë sikur bëhet në mënyrë të flashkët, pa zell dhe pa respektin e duhur…

Një javë pas, po në Shkup u promovuan tri vëllimet e reja(6,7,8) të Jusuf Buxhovit për Kosovën(katër librat e parë merreshin me lashtësinë gjer në shekullin 20), kurse këta të fundit me historinë më të re(dy vëllime) para dhe pas pavarësisë, duke prekur edhe çështjen e shqiptarëve jashtë Kosovës, ndërkaq një vëllim është me dokumente të Kongresit të Berlinit. Atë që nuk e kanë bërë institucionet shkencore, institutet e historisë dhe akademitë e dy shteteve shqiptare, e ka bërë një autor, pra, Jusuf Buxhovi, kështu u shprehën dy folës të promovimit, publicisti Nijazi Muhamedi dhe historiani Qerim Lita. Vërtet, një ndërmarrje dhe arritje grandioze, për t’iu kundërvënë propagandës së qarqeve politike e shkencore serbe  rreth Kosovës. Njëri nga botuesit theksoi edhe përpjekjen që këto vepra të Jusuf Buxhovit, në një variant më të shkrutuar të botohen edhe në gjuhën angleze, gjithnjë me qëllim të përhapjes së të vërtetës për të kaluarën e kësaj hapësire ballkanike, dhe të drejtën e shqiptarëve ndaj saj.

Në të dy rastet, pra me veprat e J.Buxhovit dhe F.Musliut, kemi të bëjmë pikërisht me atë fenomen që është i pakuptueshëm, kur shteti nuk i kushton sa duhet vëmendje përhapjes së të vërtetës në mënyrë institucionale(te rasti i librave të Jusuf Buxhovit) dhe kur nuk u kushton vëmendje figurave të cilat i bëjnë nder me vetë faktin se kanë arritur majat në fushën ku kanë vepruar dhe kanë afirmuar popullin e tyre me vetë faktin se rrjedhin nga mjedisi ynë.  Nëse një shtet nuk investon sa duhet për të afirmuar vlerat e popullit të vet, atëherë sigurisht që qarqe të caktuar “të interesuara”, do të investojnë për t’i mohuar ato, për t’ia vjedhur ose shtrembëruar historinë, figurat kombëtare dhe për të përhapur një “të vërtetë” tjetër…

PRINDI QË NUK E LE FËMIJËN NË UNIVERSITET ME EMRIN E NËNË TEREZËS(!): Ne shkruesit, pse të mos e them, na pëlqen të na thotë dikush, “bravo, ia kishte qëlluar”. Si një satisfaksion se atë që e bëjmë dikush e lexon dhe e çmon. Por a ka kënaqësi kur mëshuarja supeve e humb kuptimin dhe përvoja jetësore të imponon diçka tjetër?  Kur sheh se gjërat i detekton dhe i quan me emrin e duhur, por gjithçka shkon sipas asaj popullores ”Qentë lehin, karvani ecën”, a nuk humbet kënaqësia e “bukurshkrimit”. Për çka shkruajmë nëse gjërat mbeten pa efekt?…Pikërisht për një situatë për të cilën kisha shkruar, më dëshpëroi këto ditë një profesor që e kishte lexuar një kolumnë  të mëparshme. Drejt e ke ti kur thua se ka shqiptarë të verbëruar nga fanatizmi fetar që figurat jo myslimane i shikojnë si të huaja, si psh. “shkinën Nënë Terezë”, më tha ai. Dhe për të dëshmuar këtë, ma tregoi rastin e një nxënësi të tij. I pyetur se ku do ta vazhdojë shkollimin pasi ta kryejë të mesmen, nxënësi i ishte përgjigjur se ka qejf të regjistrohet në Universitetin “Nënë Tereza”. E po shumë mirë, i kishte thënë profesori, atje ka grupe studimesh të shkencave teknike që të shkojnë ty. Jo, profesor, nuk do të regjistrohem atje, sepse babai nuk më lejon se universiteti e mban emrin e Nënës Terezë! E po çfarë lidhje ka kjo, ka plot universitete që mbajnë emra të dikujt! “Babai më thotë se nuk bën të studioj atje, se ajo nuk është myslimane!“

Çka të thuash?! A ka kufi injoranca dhe verbëria që u është mbjellë disa njerëzve që gjërat i shikojnë nga ky prizm?!

PITSBURGU: Një masakër e madhe ndodhi këto ditë në Pitsburg të Pensilvanisë në SHBA, ku në një sinagogë hebrenjsh një fanatik antisemitist,  kishte vrarë 11 veta. Një masakër që edhe një herë dëshmon se ku mund të shpie verbëria e ekstremizmit fetar dhe se nga ky ekstremizëm nuk shfaqet vetëm te bota islame, pasi autori ishte një i krishterë…Më bëri përshtypje, përveç vetë ngjarjes tronditëse, edhe vetë vendi. Në këtë qytet të Amerikës kisha qenë në vitin 2004 gjatë qëndrimit tri javësh me një grup gazetarësh nga Ballkani. Më kishte bërë përshtypje si një qytet që kishte shumë ura mbi lumenj, sepse një trekëndësh të tri lumenjve që kryqëzohen në këtë qytet, ka 446 ura(!),.që kishte një nga klubet më të njohura të bejzbolit(na çuan në një ndeshje bejzboli, por për tri orë s’u rashë fare në fije rregullave të lojës!) dhe që kishte qenë dikur qytet i çelikut dhe ndër më të ndoturit  në SHBA, dhe se në atë kohë, kishin jetuar edhe shumë shqiptarë nëpër shkritoret dhe fabrikat e Pitsburgut, që sot nuk u gjeje asnjë gjurmë. Një qytet me më pak se gjysmë milioni banorë(më saktë, 300.000), me dy gazeta lokale me mbi 80 mijë lexues(nuk e  di sot a u ka rënë tirazhi për shkak të vërshimit botimeve elektronike). Me të gjitha kriteret amerikane, një provincë, saqë për t’u krenuar u mbetej ndonjë fakt kurioz, siç w ishte fakti se aktorja kryesore e muzikalit “Flash dance”, Xhenifer Bills, ishte nga ky qytet dhe se vetë filmi ishte xhiruar po aty…Për ato ditë të qëndrimit, me asgjë nuk mund të parandjeje se ndër ata banorë të zellshëm dhe të dhënë pas punës dhe jetës së tyre, mund të gjendej ndonjë kokëkrisur si ky që vrau 11 veta në një objekt fetar…

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Top