11:58 09.11.2015 KOSOVA NUK BËHET ANËTARE E UNESCO-S

(E plotësuar) Në mungesë të tri votave Kosova nuk është pranuar për t’u anëtarësuar në organizatën më të madhe të Kombeve të Bashkuara UNESCO.(E plotësuar) Tentativa e Serbisë që votimi për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO të shtyhet ka dështuar.

Kërkesa e delegacionit të Serbisë në organizatën e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë [UNESCO], për ta shtyrë votimin mbi anëtarësimin e Kosovës, nuk mori vota të mjaftueshme.

Kundër propozimit të Serbisë ishin 89, për ishin 59, abstenime kishte 22. Të pranishme në votim ishin gjithsej 170 vende.

Beogradi zyrtar ka kërkuar që kjo çështje të shtyhet dhe të futet në diskutim, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili po zhvillohet në Bruksel.

Fillon votimi në UNESCO

Në UNESCO ka filluar votimi për të votuar ose shtyrë anëtarësimin e Kosovës në UNESCO.

Janë disa vende që po abstenojnë por janë pro kërkesës së Serbisë për t’u shtyrë shqyrtimi i kërkesës për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.

Fuqitë e mëdha përkrahin Kosovën në UNESCO

Fuqitë e mëdha po e mbështesin anëtarësimin e Kosovës edhe gjatë debatit të ashpër që po zhvillohet në UNESCO.

SHBA, Britania, Gjermania, Franca dhe Italia në fjalimet e tyre u shprehen kundër shtyrjes së votimit dhe pro anëtarësimit të Kosovës në UNESCO.

Tërheqjen nga rendi i ditës e ka kërkuar Serbia, ndërkohë të gjitha vendet që janë pjesë e UNESCO-s po japin vlerësimin e tyre se a duhet të jetë Kosova në agjendë për t’u votuar për anëtarësim në këtë organizatë.

Austria pro votimit për Kosovën në UNESCO

Kanë vazhduar përplasjet në mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Rusisë për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO.

Ndërkohë, Austria ka thënë se është pro votimit të Kosovës për t’u anëtarësuar në UNESCO.

UNESCO fillon mbledhjen për Kosovën

Mbledhja e Këshillit Ekzekutiv të UNESCO-së, ku pritet të votohet për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare, sapo ka filluar.

Kjo bëhet e ditur përmes disa publikimeve të gazetarëve të Kosovës që po marrin pjesë në këtë mbledhje.

Përkrahje prej Kosovës po i jep edhe ambasadorja gjermane Angelika Viets, dhe i tërë ekipi i ambasadës, të cilët përmes një publikimi në rrjetin social Facebook janë duke uruar fat vazhdimisht për Kosovën.

“Ambasadorja gjermane, Angelika Viets, dhe i tërë ekipi i ambasadës janë duke uruar fat vazhdimisht për një rezultat pozitiv të votimit për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO-s këtë mëngjes, i cili është mbështetur fuqimisht nga shumë vende, përfshirë dhe Gjermaninë si njëri prej tyre!”, shkruan në Facebook të ambasadës së Gjermanisë./KosovaPress/

Top