« Rast social » Jehona tre muajshe tre ditë pa bukë

20:37:04                  2018-05-15

 

 

Zonja Ferihan Abdullahi që jeton në rrugën “Ivo Llolla Ribar” në Tetovë, jeton e zhytur mes varfërisë dhe skamjes. E lënë në harresë dhe në mëshirë të fatit me vajzën e saj tremuajshe dhe burrin e sëmurë që nuk është i aftë për punë, mes lotëve ajo rrëfen se ka disa ditë që foshnjën e saj tremuajshe – Jehonën e vogël e ushqen vetëm me çaj, shkruan gazeta KOHA.

“Burrin e kam të sëmurë, vajza është e sëmurë, nuk kemi nga t’ia mbajmë. Jetojmë me një ndihmë sociale prej 2000 denarëve. Burri nuk është i aftë për punë, kurse ditët i kemi të numëruara në këtë banesë, pasi jetojmë me qira”, thotë ajo. Zonja Ferihan ka mbetur vetëm me vajzën mes katër mureve të banesës së ftohtë, e harruar nga shoqëria dhe e harruar nga shteti.

“Nuk kemi asnjë ndihmë nga askush, as të afërm, as shteti, as askush, prandaj edhe kërkoj ndihmë nga ata që kanë mundësi, sepse vajza nuk ka asgjë për të ngrënë”, thotë Ferihane Abdullahu. Ajo gjithashtu rrëfen se në banesën njëdhomëshe, ku po qëndron aktualisht, do të mund të qëndrojë edhe për pesë ditë dhe më pas rrezikon të mbetet në rrugë, pasi nuk ka të ardhura për të paguar qiranë e banesës për shkak të gjendjes së rënduar ekonomike, skamjes dhe mjerimit që ka kapluar familjen e saj. Është Jehona e vogël tremuajshe është ajo që ka shtyrë zonjën Abdullahi të bëj apel për ndihmë, jo për veten, jo për burrin që është pjesërisht i verbër, por për vajzën e tyre.

“Vajza ka problem me sytë, burri është në spital, edhe pesë ditë do të duhet që ta lëshojmë banesën dhe do të mbetemi në rrugë. Me 200 denarë mbijetoj dhe çka të blej pëepara – nuk dalin për asgjë. Kam nevojë për fëmijën sepse e kam harruar veten”, thotë për KOHA, zonjë Ferihane.

Kjo familje jeton mes katër mureve të ftohta, të cilat japin imazhin e një jete njerëzore që vetëm e tillë nuk mund të quhet, pa kushtet elementare për një jetë normale, pa kurrfarë të ardhurash, pa ushqim, me një foshnje tremuajshe që ushqehet vetëm me çaj, por me shpresën së një ditë dikush do të trokas në derën e tyre për t’i dhënë ndihmën e pakushtëzuar, atë për të cilën kanë nevojë dhe nuk e gjetën asnjëherë.

“Vajzën e ushqej vetëm me çaj, sepse bukë nuk kemi. Tash edhe kur do të dalin në rrugë nuk e dimë se si do të mbijetojmë. Janë grumbulluar të gjitha të këqijat me një vend. Pa bukë, pa asnjë ndihmë, me të sëmurë dhe pa vend të sigurt për të jetuar”, vazhdon rrëfimin e zonja Ferihane.

Largohemi nga familja Abdullahi, e cila sjell në vëmendje brengën më të madhe të shoqërisë, varfërinë ekstreme, atë pamje që ka pikërisht Tetova tjetër, ajo larg darkave festive, tavolinave të tejmbushura me ushqime të bollshme, që jeton shumë pranë tyre, por larg vëmendjes andaj të gjithë ata njerëz human, shoqata bamirëse që duan të ndihmojnë këtë familje varësisht mundësive që kanë, le të paraqiten në numrin e telefonit 00 38 971-921-499. (KOHA.MK)

Top