Prof. Dr. Sefer Tahiri – Parmaku me lot

13:47:39              2018-02-11

 

 

Ishte mëngjes i freskët i verës dhe pasi piva kafenë e mëngjesit në Shkup, meqë nuk ishte ditë e ngarkuar me angazhime, siç janë rëndom shumica prej tyre, krejt pa planifikuar, në sekondat e fundit hipa në furgonin që shpinte drejt fshatit tim të lindjes. Shkupi nuk më mbante atë ditë! Kthimi tek rrënjët, siç po kalojnë vitet, po bëhet gjithnjë e më i theksuar. Sikur ishte habi edhe për vetë shoferin dhe bashkëfshatarët e mi, të cilët viteve të fundit nuk ishin mësuar të më shohin duke udhëtuar drejt vendlindjes. Nuk thanë gjë, por vetëm u përshëndetëm me qetësi. Nuk fola gjë rrugës, ndonëse ajo nuk është e shkurtër. Kur mbërritëm në Radushë, fshatin tim të lindjes u ndala në qendrën e fshatit, që nga fëmijëria e mësova se e quajmë „sokak“. Nuk i kisha njoftuar as të afërmit e mi dhe nuk shkova drejt shtëpisë ku jam rritur, gjë që nuk më ka ndodhur asnjëherë më parë. Një ndjenjë e rrallë, sikur më kishte marrë malli më shumë për vendlindjen, ndoshta për ata që nuk janë më në mesin tonë, sa sa për të afërmit e gjallë. Aty qëndrova me orë të tëra, edhe bashkëfshatarët që shkonin në punët e tyre ose në xhami, habiteshin kur më shikonin, por e vërenin gëzimin që po i takoj, siç edhe ata i gëzoheshin takimit me mua. Ndërsa si në shaka më thoshin „Të shohim, por vetëm n televizor“. Qeshja, pa komentuar gjë, duke iu shmangur temave të debateve politike, sepse politika ishte gjëja e fundit që mendoja atë ditë. Kishte kaluar mesdita dhe drejt kafiterisë vinin edhe tre persona të moshuar, të cilët jetën e tyre e kishin kaluar në Gjermani, pasi fshati im është ndër ata që njihet si i kurbetit. I njihja me emër, por nuk kisha pasur rastin që të bashkëbisedoj me ta. U ulën që të tre dhe filluan bisedën. Të pashmangshme ishin rrëfimet e tyre për jetën e rëndë në tokën e huaj. Njëri nga ta, një burrë rreth të 70-tave tek rrëfente tha „Kurbeti ka qenë i vështirë, pasi çdoherë kur shkoja nga shtëpia, e lija pas nënën time me duart e varura në parmak, duke qarë me lot“. Të gjithë, edhe pse 4 veta në tavolinë nuk folëm gjë disa minuta! Ishin momente që të molisnin. Nuk më mbante as këtu më vendi. I përshëndeta thuajse pa zë dhe nisa të ecja rrugëve të vendbanimit tim, duke kujtuar lotët e nënës së bashkëfshatarit tim. Ndjeva dhimbje shumë për nënën e tij ! Ndjeva dhimbje për gjyshen time nga babai, e cila, edhe pse karakter i fortë, qante kur përcillte dy djemtë dhe vajzën e saj të madhe në Danimarkën e ftohtë, siç ndjeva dhimbje edhe për gjyshen time të ndjerë nga nëna, të cilës i rridhnin lotët kur përcillte dy djemtë dhe vajzën e saj në Gjermani. Ndjeva dhimbje edhe për nënën time, përlotët e saj, kur përcjell motrën time në Gjermani ! Parmaku i lotëve nuk ishte një i vetëm. Tashmë isha në një distancë, prej së cilës dukej i tërë katundidhe dielli i verës kishte rënë mbi parmakë, të cilët sikur ndjenin mërzi. Nuk më mbante më as vendlindja !

P. S Këtë të diel i përshëndes, të njohur e të panjohur, që janë larg vendlindjes dhe ndjesë nëse ky rrëfim u shkakton emocione. Prof. Dr. Sefer Tahiri

Top