NGJYRËN VJOLLCË PËR PS-NË

Fushata e zgjedhjeve të 2013 u shoqërua me një imazh të ri viziv të Partisë Socialiste. Flamujt, selia dhe çdo simbol, i cili përfaqësonte Partinë Socialiste, nga rozë u bë vjollcë.

Alastair Campbell, këshilltar i kryeministrit Edi Rama në këto zgjedhje, në librin e sjellë në shqip “Fitimtarët” zbulon se ngjyra ‘‘vjollcë” ose “pink” ishte ngjyra e skuadrës së tij të zemrës, Burnley.

Campbell pranon se ia kishte propozuar Ramës dhe ky nuk pati kundërshtim.

Ja çfarë shkruan ai:

“….Njësoj si me Tony-n, në fillim i thashë jo propozomit tij, sepse ndërkohë isha i zënë me shumë gjëra të tjera. Përveç kësaj, edhe pse e njihja dhe e simpatizoja Shqipërinë qysh prej kohës së konfliktit në Kosovë, kaq nuk mjaftonte për të më ndjellë siç më kishte ndjellë përpjekja për ndryshim e qeverisjes në Mbretërinë e Bashkuar. Megjithatë, po ashtu si në rastin e Tony-t, zelli dhe etja e tij për fitore, vizioni pozitiv që ai kishte jo vetëm për vendin e vet, por për të gjithë rajonin e Ballkanit, e në fund dukja mjaft e këndshme e tij dhe e këshilltarëve të tij, më lëkundën.

Ndikoi këtu edhe dashuria që kishte për sportin, e cila ishte po aq e madhe sa e imja. Madje ai dinte diçka edhe për Burnley-n dhe nuk pati kundërshtime kur i propozuam ta ndryshonte ngjyrën zyrtare të partisë së tij nga e trëndafiltë në vjollcë, ngjyra e skuadrës time të zemrës.

Rama është një admirues i madh i Tony-t, i cili në Shqipëri ishte kthyer në njëfarë heroi për shkak të rolit të rëndësishëm të luajtur për Kosovën por dhe ngase, siç thotë vetë Rama: New Labour dhe Rruga e Tretë e Tony-t kanë qenë model për ne. Së bashku punuam për një imazh të ri të partisë nën flamurin e Rilindjes e po ashtu edhe për një politikë e strategji komunikimi të ngjashme veçanërisht me atë të fushatës “New Labour”, ”New Britain” të vitit 1997 e 2001″./mapo

Top