Blegtorët të pafuqishëm: shteti ka lejuar një masakër ndaj lopëve

14:32:26             2016-06-30

 

 

 

 

Të shqetësuar nga paraqitja e sëmundjes “Gungat e lëkurës”, blegtorët e Maqedonisë Lindore i luten Zotit që lopët e tyre të mbeten të shëndetshme. Prej këtyre kafshëve varet edhe ekzistenca e tyre. Ata janë të indinjuar nga institucionet për të cilat thonë se nuk kanë reaguar me kohë për t’i siguruar vaksinat e nevojshme. Rezultati është i tmerrshëm – u vdesin kafshë çdo ditë.

Kaos, frikë dhe panik mbretëron te të gjithë blegtorët të cilët ekipi i SCOOP-it i ka takuar në disa zona të Maqedonisë Lindore.

Në Probishtip takuam blegtorin Vase në momentin kur po përgatitej që t’i varroste kafshët e ngordhura. Me lot në sy e tregoi storjen e tij.

Derisa po zbriteshim nga ferma e Vases, dy automjete të tipit “Jugo” me mjekë veterinarë u drejtuan drejt kopesë së Vases. Jo për t’i vaksinuar, por për t’i vrarë gjedhët, për shkak se është shumë vonë për vaksinë. I lutëm për të na dhënë një deklaratë, por ata vazhdimisht shmangnin të na jepnin çfarëdo përgjigjeje.

Agjencia për Ushqim dhe Veterinari dhe Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave më 10 maj deklaruan se Maqedonia është vendi i vetëm në rajon i cili do të kryejë një vaksinim të plotë, por blegtorët thonë se askush deri tani nuk ka ardhur tek ata për të vaksinuar bagëtinë e tyre.

 

Por, Bore Petrov, blegtor nga Zletova thotë se sjellja e këtillë e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë është e papërgjegjshme dhe degraduese.

Bore Petrov

Kjo është një masakër që na e bën vendi ynë. Në vend se të blejnë vaksina, ata na lënë të vdesim. Po vdes bagëtia, po vdesim edhe ne“, thotë ai.

I indinjuar nga institucionet që nuk kanë reaguar me kohë, Petrov nuk beson në arsyetimin e tyre se nuk ka pasur të holla për vaksinat. “Para disa ditësh mbusheshin  autobusë për të shkuar në mitingje për t’i mbrojtur Vladimir Talevskin dhe Nikolla Gruevskin nga burg. Për të shkuar në Shkup dhe për t’i mbrojtur ata kanë të holla, kurse për të blerë vaksina nuk kanë të holla”, thotë ai.

Petrov ka 30 lopë dhe deri tani sëmundja “Gungat e lëkurës” i ka marrë një gjedh. Por, ai vazhdimisht jeton me frikë se sëmundja mund t’ia marrë gjithë kopenë.

 

LOPË TË NGORDHURA KALBEN NË TË HAPUR 

 

Edhe pse sëmundja është zbuluar në muajin prill të këtij viti, madje më 27 qershor arritën 250.000 vaksinat e nevojshme kundër kësaj sëmundjeje. Kjo vonesë u ka kushtuar blegtorëve me qindra lopë të ngordhura, shumica e të cilave kalben në të hapur.

 

Çdo ditë shkoj në Stacionin e veterinarisë, por vazhdimisht më mashtrojnë, do të jetë nesër, do të jetë një ditë tjetër. Bagëtia më vdes çdo ditë“, thotë Sali nga Shtipi.

Kërkuam një deklaratë nga Drejtori i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Zoran Popovski, por ai refuzoi t’u përgjigjet pyetjeve tona.

Ndonëse na refuzoi neve, ndërkohë për televizionin “Sitel”, deklaroi se në botë ka vetëm një prodhues të vaksinave për sëmundjen “Gungat e lëkurës” dhe se tani është paraqitur edhe një prodhues tjetër.

Popovski deklaroi se sëmundja në Maqedonia është regjistruar 5 ditë pasi u paraqit në Bullgari, ku rasti i parë u zbulua më 13 prill 2016.

Por, të dhënat zyrtare thonë se Bullgaria një muaj më parë ka blerë 700.000 vaksina, ndërsa te ne të dhëna për atë se sa gjedhë janë të vaksinuar nuk ka.

D-r. Georgi Çobanov, ekspert i punësuar në Agjencinë Bullgare për Sigurinë e Ushqimit, dy muaj para deklaratës së Popovskit theksoi se në botë ka tre prodhues të vaksinave për sëmundjen “Gungat e lëkurës”. Vaksina atje kushton 3 leva (90 denarë) për një viç dhe 5 leva (150 denarë) për një lopë.

Eksperti nga e njëjta agjenci, d-r. Cvetko Aleksandrov, thotë se vjeshtën e kaluar mjekë veterinerë nga fqinji ynë lindor janë dërguar në Izrael dhe Turqi për të fituar përvojë se si të ballafaqohen me sëmundjen “Gungat e lëkurës”.

Si një masë parandaluese, Bullgaria ka filluar t’i vaksinojë kafshët e shëndetshëm një muaj më parë. Këtu, edhe pse sëmundja përhapet shumë dhe shkakton vdekje të kafshëve në Maqedoninë Lindore, megjithatë Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë është vonuar me vaksinat, kështu që ka kontribuar që gjedhët të vdesin nëpër malet dhe sëmundja të përhapet.

Veterinerët thonë se shteti është dashur të sigurojë vaksinën 6 muaj më parë, e jo tani.

 

NJË INSPEKTORE KA DJEGUR NJË LOPË ME GOMA MBI UJËSJELLËSIN NË ZLETOVË

 

“Një inspektore veterinare nga Kratova dhe nusja e një politikani të njohur nga Kratova, kanë marrë pjesë në djegien e një lope të sëmurë në 150 metra largësi prej shtëpive të para në Zletovë”, thotë Bore Petrov nga Zletova. Banorët e tjerë të Zletovës konfirmojnë se është e padurueshme që të jetohet në shtëpitë e para të lagjes.

 

 

Por, ky nuk është kulmi i papërgjegjësisë, jo profesionalizmit dhe vandalizmit që e bën inspektorja veterinare ndaj banorëve të Zletovës. Ajo ka lejuar që lopa të digjet me goma, kurse e kanë djegur mbi tubacionet që bartin ujë për lagjen e Zletovës.

Kjo është përtej të gjitha rregullave dhe rregulloreve për sjelljen e inspektorëve veterinarë, thotë një mjek veterinar që nuk guxonte të fliste publikisht.

Largimi i padëmshëm i materialit të rrezikshëm specifik duhet të kryhet me largimin e tij në gropa të veçanta varrimi për atë qëllim apo me varrim në vende paraprakisht të përcaktuara për këtë qëllim. Kushtet e transportit dhe largimit duhet të jetë në përputhje me rregullat për nus-produktet e prejardhjes së kafshëve“, thuhet në nenin 7 të Rregullores për kushtet e veçanta teknike për trajtimin dhe largimin e padëmshëm të materialit të rrezikshëm specifik, të miratuar nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave.

U përpoqëm të flasim me inspektoren në fjalë, por ajo nuk deshi të na thotë se pse ka djegur lopën mbi ujësjellësin në Zletovë. Për deklaratë na tha të drejtohemi në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë.

Dukshëm i shqetësuar, presion mbi ne bënte edhe një blegtor nga Zletova, i cili ka marrë pjesë në djegien e lopës. Ai nuk e lejonte një bashkëbisedues tonin që të jetë pjesë e këtij reportazhi dhe e kërcënonte atë me telefon.

 

EDHE VAKSINA NË BAZË PARTIAKE!?

 

Një dozë e vogël vaksinash është paraqitur në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë që ka bërë një kaos të vërtetë në terren.

Në Probishtip, zyrtarisht janë vaksinuar rreth 300 krerë gjedhësh nga 2.000 krerë sa janë regjistruar.

Në Probishtip ka 3 ambulanca veterinare. Dy janë të afërta me partinë në pushtet dhe ato kanë marrë 120 vaksina, ndërsa për stacionin e tretë veterinar, i cili ka më së shumti gjedhë, ka pasur vetëm 80 vaksina“, thotë Bore Petrov.

Ai pret për vaksinë tashmë 3 muaj, por vaksinë për Boren nuk ka.

Kaosin në vaksinimin që e bëri Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka rezultuar me rrezikun e kontaminimit të mbi 20.000 lopë në vend.

Kjo është një masakër ndaj bagëtisë dhe njerëzve që jetojnë nëpër fshatrat. Unë nuk e di se ndonjë vend në botë sillet kështu me qytetarët e tij. Sëmundja në Turqi është paraqitur ndoshta një vit më parë, por Turqia është një shtet i përgatitur dhe për disa muaj e ka vaksinuar gjithë bagëtinë, ndërsa këtu është kaos“, thotë Mehmet Emelnga Pllaçkovica.

Ai shton se kushëriri i tij ka sjellë disa doza nga Turqia dhe e ka shpëtuar bagëtinë e tij. Vaksinë ka marrë edhe një fqinj i tij nga rajoni i Llakavicës, por ai ka qenë anëtar i partisë qeverisëse, kështu që i kanë dhënë ndonjë vaksinë, thotë Emel. (al.scoop.mk)

Top