Mustafa e bëri dordolec „Fjollën e Borrës“ të Editës

Do të rrezikojnë të nxirren jashtë nga Kuvendi i Kosovës edhe me Polici, nëse një gjë të tillë e kërkon kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli, por, “Zajednicën” do ta kundërshtojnë me të gjitha

Do të mbajnë aktivitete të tilla si ajo e hedhjes me vezë në seancën e 22 shtatorit, do të protestojnë e demonstrojnë, e çka tjetër nuk do të bëjnë deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje bashkë me ata të AAK-së dhe Nismës, vetëm për ta kundërshtuar “Zajednicën” dhe Demarkacionin me Malin e Zi.

Gatishmërinë e VV-së dhe dy partive tjera opozitare AAK-së dhe Nismës e tregon ish – lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, deputeti Albin Kurti.

Në një intervistë për Agjencinë e Lajmeve KosovaPress, politikani që deri tani nuk i shmanget idesë që në Kosovë nuk ka institucione që mund të thirren si të tilla dhe se Republikën e Kosovës më shumë vazhdojnë ta karakterizojnë mungesat sesa pranitë e aspekteve pozitive e progresive, rastet e fundit po e shtyjnë që të kundërshtojnë edhe më fuqishëm tërheqjen e nënshkrimit nga marrëveshjet e Brukselit.

Mosfunksionimin e institucioneve Kurti e mbështet edhe tek raporti i “Transparency International” që sipas tij nxjerr Kosovën si shtet gjysmë autoritar.

“E kam fjalën për të gjitha vendimet e këqija që i kanë marrë dhe për të gjitha vendimet e mira që nuk i kanë marrë. Marrëveshja e 25 gushtit në Bruksel u negociua shpejt e shpejt me Vuçiqin dhe brenda natës u nënshkrua. Vetëm më pas ata thanë se do të vijnë e ta sjellin një informatë në Kuvendin e Republikës për këtë gjë ndërkohë që në pikën e dytë të asaj marrëveshje thuhej që tash e tutje Qeveria e Kosovës ndihet e obliguar vetëm që t’ia dërgoj dekretin qeveritar Gjykatës Kushtetuese por Kuvendi i Kosovës ishte i përjashtuar në mënyrë kategorike dhe absolute”, tha Kurti.

Një mostransparencë e tillë nga Mustafa është vetëm trashëgimi e paraardhësit të tij Hashim Thaçit, i cili sipas Kurtit ia dorëzoi stafetën Mustafës për t’i bërë punët në shpejtësi. Të shpejtuar po e quan edhe nënshkrimin e fundit për krijimin e “Zajednicës”.

Kjo nguti e Mustafës, sipas Kurtit, e la Kosovën edhe pa formimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.

“Vetëm tri javë pasi që kaloi Gjykata Speciale në Kuvendin e Kosovës në formën e amendamentit 24, një rast i paprecedent, pasi që ishte hedhur poshtë paraprakisht me datën 26 qershor, e njëjta gjë na rikthehej, u ngut që Gjykatën Speciale ta shoqëroj edhe me ‘Zajednicën’. Ne kemi pritur që do të vijë kjo çështje, mirëpo ndoshta në fund të shtatorit apo në tetor, e jo kur Kuvendi është në pushim në muajin gusht dhe ende pa ardhur 1 shtatori. Me 25 gusht, u ngutën që në Bruksel ta bëjnë atë marrëveshje, edhe të turpshme, edhe të dëmshme, edhe të rrezikshme. E mbani mend qysh dikur thoshin se me Gjykatën Speciale, në një paketë do të jenë edhe Forcat e Armatosura të Kosovës, por, nuk ndodhi! E mbani mend qysh thanë se në paketë me ‘Zajednicën’ do të jenë Forcat e Armatosura të Kosovës, por, as kjo nuk ndodhi! Sepse, në fakt, paketa përbëhej prej Gjykatës Speciale dhe prej ‘Zajednicës’. Gjykata Speciale si orvatje për të sajuar një rrëfim të ri për luftën në Kosovë ndërsa ‘Zajednica’ si orvatje për ta bosnjëzuar Kosovën”, thotë Kurti për KosovaPress.

Në anën tjetër thotë se Kosovës nuk i duhen Forcat e Armatosura të Kosovës, kur veçse është nënshkruar marrëveshja për krijimin e “Zajednicës”.

Qeveria e Kosovës para disa ditësh ka thënë se shumë shpejt do ta dërgojë në Kuvend edhe ligjin për Forcat e Armatosura të Kosovës, në kohën kur Kurti dhe bashkëpartiakët e tij po synojnë ta bllokojnë funksionimin e Kuvendit.

Edhe pse këtë ligj Vetëvendosja e ka pritur që moti, në ditët e ardhshme nuk do ta ketë parasysh një gjë të tillë.

Kurti, thotë se janë të vendosur që ta bllokojnë Kuvendin pa marrë parasysh se aty do të mund të vijë ligji për krijimin e FAK-ut.

“Pa u tërhequr nënshkrimi nga ‘Zajednica’ e Mustafës me Serbinë e Vuçiqit, nuk mund të ketë as Kuvend e as Kuvend të Republikës. Neve na gjymtohet shtetësia me atë ‘Zajednicë’ dhe parakusht që Kuvendi i Republikës të jetë përnjëmend qysh e ka emrin është që paraprakish t të tërhiqet nënshkrimi i tillë dhe të krijohen kushtet që në një shteg të ri, në një orientim të ri, të përparojmë edhe sa i përket demokratizimit e drejtësisë edhe sa i përket zhvillimit të mbrojtjes e sigurisë, përkatësisht Forcave të Armatosura të Kosovës. Me ‘Zajednicë’ në Kosovë, Forcat e Armatosura të Kosovës nuk mund të jenë të Kosovës edhe nëse ato janë Forca të Armatosura”, thotë Kurti.

Heqjen e nënshkrimit të marrëveshjes nga ana e Isa Mustafës, Kurti thotë se janë të bindur dhe të vendosur që ta heqin. Ai thotë se gjithçka tjetër është e mundshme pos kthimit mbrapa të Pavarësisë së Kosovës.

“Besoj që e pamundshme është shkatërrimi i Republikës së Kosovës, e pamundshme është kthimi mbrapa i Pavarësisë së Kosovës, ndërkaq, nuk është tërheqja e nëns hkrimit të Mustafës i pamundshëm. Kështu thoshin edhe për shkarkimin e Jabllanoviqit, thoshin se ai është kreu i Listës Serbe dhe nuk shkarkohet sepse bie Qeveria, prishet koalicioni qeverisës, por ja që Jabllanoviqi u shkarkua dhe Qeveria vazhdon. Nuk mund të ketë edhe Republikë edhe ‘Zajednicë’. Sajimi dhe instalimi në Republikën e Kosovës e bën absurd edhe Kuvendin e Republikës së Kosovës, edhe vetë Qeverinë e Kosovës dhe ne nuk mund ta lejojmë një gjë të tillë”, tha Kurti për KosovaPress.

Ai nuk tregon për formën e veprimeve të ardhshme që do të ndërmarrë bashkë me kolegët e tij të opozitës për ta bllokuar Kuvendin. Megjithatë, tregon se është i vendosur për bllokim edhe nëse kryetari i Kuvendit do t’i përdorë kompetencat e tij.

Në bazë të rregullores së Kuvendit neni 41 për mbarëvajtjen e punimeve të Kuvendit, është kryetari ai që kujdeset për rregull dhe mbarëvajtje të mbledhjeve.

Nëse një gjë e tillë nuk shkon sipas rregullores, atëherë kryetari i Kuvendit ka të drejtë që t’ia tërheq vërejtjen secilit deputet ose anëtari të Qeverisë, kur në mbledhje deputeti sillet në mënyrë të pahijshme dhe të palejueshme, kur ai përdor gjuhë joparlamentare apo edhe nuk respekton autoritetin e kryetarit.

Kryetari i Kuvendit mund të marrë masa si: tërheqjen e fjalës, ndërprerjen e menjëhershme të fjalës apo edhe ta largojë nga mbledhja e Kuvendit.

Kryetari mund të kërkojë edhe ndërhyrjen e zyrtarëve policorë.

Albin Kurti me këtë rast ka një porosi për kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veselin.

“Normalizimi i marrëdhënieve Kosovë – Serbi tash po avancon në fazën e normalizimit të ‘Zajednicës’ në Kosovë dhe ne këtë jemi të vendosur ta pengojmë. Nuk ka rrezik më të madh në Kosovë sesa ‘Zajednica’. Pra, ne nuk bëjmë kalkulime të tilla. Jemi të vendosur në atë që e mendojmë për të vërtetë dhe besojmë që është e drejtë. Ky është kundërshtimi jonë për ‘Zajednicën’. Nuk mund të ketë as rregullore të Kuvendit, as Kuvend të Republikës, nëse ka ‘Zajednicë’. ‘Zajednica’ t’i shkatërron krejt rregulloret, ta shkatërron Kushtetutën, ligjshmërinë dhe vetë Republikën që e shpallën si të pavarur para 7 vite e gjysmë. Le ta bëjë ai një gjë të tillë dhe do t’i sheh edhe veprimet tona”, thekson Kurti më tutje.

Kurti me grupin opozitar kanë nisur nënshkrimin e një peticioni për këtë punë. Atë e kanë nënshkruar më shumë se 100 mijë qytetarë. Dyshimet bien se sa do të jenë të gatshëm që një numër i tillë t’iu bashkohet opozitës edhe në veprimet e tyre të ardhshme. Protestat dhe demonstratat janë forma tjetër pos peticionit që do të përdor opozita. Për ta, sipas Kurtit, është e rëndësishme që të përdorin gjithçka legjitime vetëm që të ndalin “Zajednicën”. “Zajednica” është kuptimi i fusnotës thotë tutje Kurti, ‘ ajo fjollë e borës që u krijua nga Edita Tahiri tashmë është bërë dordolec’.

“Pra, Kosovës ja hoqën fjalën Republikë nga emërtimi, Kosova u bë nga politika në gjeografi. Kosova sot në dialogun e Brukselit është nocion gjeografik, nuk është nocion politik, meqenëse fjala Republikë nuk përmendët askund. Kjo është njësoj sikur një student i cili studion Shkenca Politike përnjëherë kalon në Fakultetin e Gjeografisë. Kjo është traumatike. Pra, te Republika e Kosovës, duke ia hequr Republikën si term politik e duke ia vënë fusnotën, e kanë krijuar mundësinë për ta instaluar edhe tash ‘Zajednicën’, për të cilën ne jemi duke luftuar që ta pengojmë. Ajo fjolla e borës e zonjës Tahiri, jo vetëm që nuk u shkri por, u bë dordolec”, theksoi tutje Kurti. Ashtu siç konsideron Kurti se “Zajednica” po e dëmton Kosovën, në anën tjetër dëmtime po quhen edhe veprimet e vetë opozitës. Madje opozita po akuzohet se këto veprime po i bën për shkak të pushtetit. Por, një gjë të tillë nuk po e pranon ish – kryetari i VV-së Albin Kurti. Pos anulimit të “Zajednicës”, për Kurtin dhe VV-në nuk janë të rëndësishme as rezultatet zgjedhore. Madje, siç thotë ai, Kosova do të duket edhe më e dinjitetshme para syve të Bashkimit Evropian./ KP

Top