„KURIER“: Demantohet deklarata e zëvendëskryeministrit austriak Strache se kinse „Kosova është padyshim pjesë e Serbisë“

18:02:44                  2018-02-11

 

 

 

Gazeta e Beogradit „Politika“ kishte cituar zëvendëskryeminsitrin austriak Strache të ketë thënë: „Kosova është padyshim pjesë e Serbisë“.

Një bashkëpunëtor i zyrës së zëvendëskryeministrit dhe kryeatri i FPÖ-së, Heinz-Christian Strache pasditen e së dielës, përmes Agjencisë APA kanë demantuar deklaratën e Strache për të përditshmen serbe „Politika“ kinse „Kosova është padyshim pjesë e Serbisë“. Gazeta e ka pasur në ballinë këtë titull dhe e kishte vendosur në një pjesë të artikullit.

Përmes Agjencisë APA, zëdhënësi i Strache, Martin Glier ka deklaruar se një gjë të tillë Strache nuk e ka thënë. „Austria ndër të parat e ka pranuar si shtet Kosovën dhe që atëherë është një përkrahëse e madhe e Kosovës. Austria i përkrahë perspektivat europiane si të Kosovës, po ashtu edhe të Serbisë. Kjo është politika e Qeverisë austriake dhe asgjë nga kjo nuk do të ndryshojë“, ka pohuar zëdhënësi, përcjellë Shtegu.com.

Një bashkëpunëtor i Strache ka thënë se atëbotë, Strache si shef opozitar e kishte kritikuar Pavarësinë e Kosovës dhe nuk i ka pasur të njëjtat mendime si Qeveria austriake. Por, është fakt dhe realitet se Kosova është e pavarur dhe Austria e ka njohur Kosovën. Sa i përket veriut të Kosovës, Strache është i mendimit se duhet të gjendet një kompromis për autonomi të pakicës serbe të atjeshme, sipas modelit të Tirolit Jugor. Në këtë rast, Austria do të luante rolin e ndërmjetësuesit neutral dhe do të angazhohej për paqe afatgjatë midis Beogradit dhe Prishtinës.

Pyetjen për Strache, „Politika“ në numrin e saj të së dielës kështu e ka formuluar: „Ju dhe e juaja FPÖ, në kohën që ishit opozitë, njohjen e Kosovës nga Austria e keni kundërshtuar. Tani jeni në koalicion me ÖVP-në e kryeminsitrit Sebastian Kurz. A ka ndryshuar qëndrimi juaj që nga momenti që ju jeni zëvendëskryeministër“? Përgjigja e Strache sipas „Politika“ është cituar: „Kosova padyshim se është pjesë e Serbisë. Njohjen e Kosovës nga Austria që atëherë e kemi kritikuar ashpër, kjo është vetëm një fakt dhe asgjë nuk mund të ndryshohet“. (Shtegu.com)

Top