Kur injorantët luajnë me zjarrin

15:08:27                2018-04-18

 

Duhet që i tërë komuniteti dhe organizatat që dalin nga ai, të reagojnë pubikisht që të distancohemi si komunitet dhe t’u bëhet trysni organizatorëve të këtij cirku, që ndoshta edhe nuk janë të vetëdijshëm për efektin destruktiv që e shkaktojnë, të anulojnë ftesën e bërë për reperët nazistë, dhe që mos t`i lejohet më kujtdoqoftë që të thirret në e emrin e shqiptarëve duke bërë vepra të tilla

 

Më thirri një mik nga një instancë zvicerane që lufton racizmin dhe antisemitizmin. Ishte i shqetësuar me një festival të ashtuquajtur „shqiptar“ që duhet të mbahet në Schafhausen të Zvicrës. Organizatori i këtij marifeti kishte ftuar dy reperë antisemitë (lexo nazistë) nga Gjermania. U shtanga.

Miku në fjalë brengosej për bujën mediale që ky akt i shëmtuar do ta bëjë dhe dëmin që do t’ia shkaktojë komunitetit tonë në Zvicër. Kishte shumë arsye. Mu lut të ndërmarrim diçka sa më shpejt që të mos  lejojmë që ekstremistët t`i njollosin shqiptarët e Zvicrës, sepse, e dinim që të dytë, se jemi në një kthesë të mirë sa i përket perceptimit të komunitetit tonë këtu, pas dhjetëra viteve stigmatizimi populist.

Me mikun në fjalë dhe shumë instanca zyrtare zvicerane, shqiptare, izraelite, si dhe të komuniteteve respektive, kemi qenë aktivë, me muaj të tërë, për realizimin e ekspozitës „Besa“, e cila kishte kontribuar me të madhe në njohjen në Zvicër për së afërmi të humanizmit dhe traditës shqiptare për mbrojtjen e viktimave të nazizmit.

Nuk i harroj kurrë fjalët aq mirënjohëse të vendimmarrësve zviceranë, por edhe të figurave intelektuale dhe artisitike zvicerane, për shqiptarët, për kontributin e tyre në mbrojtjen e hebrenjve, duke vënë në rrezik jetën dhe familjet e tyre. Nuk e njihnin zviceranet këtë kapitulli të ndritur tonin, dhe falë ekspozites „Besa“ që u mbajt në dhjetëra qytete zvicerane, arritëm të fillojmë ndryshimin e imazhit tonë në Zvicër dhe më gjerë.

Dhe tani, një injorant emërton maskarallëkun e tij me emrin „festival shqiptar“ me të cilin e bën pikërisht të kundërtën, shemb tërë atë angazhim kolektiv për mbrojtje të vlerave dhe dinjitetit shqiptar, duke  ndihmuar forcat shqiptarofobe të riaktivizohen dhe që sërish të përflitet për të keq në kurriz të komunitetit tonë të rëndësishëm në Zvicër dhe më gjerë. Kjo është e papranueshme.

Duhet që i tërë komuniteti dhe organizatat që dalin nga ai, të reagojnë pubikisht që të distancohemi si komunitet dhe t’u bëhet trysni organizatorëve të këtij cirku, që ndoshta edhe nuk janë të vetëdijshëm për efektin destruktiv që e shkaktojnë, të anulojnë ftesën e bërë për reperët nazistë, dhe që mos t`i lejohet më kujtdoqoftë që të thirret në e emrin e shqiptarëve duke bërë vepra të tilla.

Pra, përveç sa i përket çështjes së dëmit për imazhin tonë, edhe ideologjitë e tilla raciste dhe antisemite si të tilla duhet të luftohen, me një vetëdijësim të përgjthshëm se ç’nënkupton një akt i tillë i shëmtuar ku i jepet hapësirë retorikës së urretjes racore apo fetare.

A duhet t’ua rikujtojmë organizatorëve –  apo më mirë t`i quajmë argatëve të nazistëve – të këtij festivali se edhe ne, sikurse populli hebraik, kemi njohur disa herë në histori pothuaj shfarosjen etnike, dhe madje, hiç më larg se para 20 viteve ? (Albinfo)

Top