Krenarë me talentin e djaloshit kosovar që u ftua edhe nga ish kryetarja e Zvicrës

103 Lexime

10:41:43                  2018-01-31

 

Me kërkesë të portalit „Shtegu.com“, në redaksinë tonë ka ardhur një shkrim lidhur me autobiografinë e djaloshit shqiptar nga Kosova, Altin Aliçkaj, i cili ka mahnitur opinionin zviceran e më gjerë me talentin e tij të rrallë në fushën e teknologjisë. Në vazhdom po ua sjellim të plotë letrën e prindit të Altinit:

 

E nderuara redaksi e shtegu.com

Së pari ju falënderoj shumë për interesin e treguar për Altinin. Fatkeqësisht shumica e mediave tona sot janë komercializuar aq shumë, sa që për histori të vogla si kjo e Altinit nuk interesohen fare.

Unë kam migruar nga Carrabregu i Deçanit në Zvicër në vitin 1989, menjëherë pas përfundimit të studimeve në Fakultetin elektroteknik të Prishtinës. Pas martesës në vitin 1992, më është bashkuar edhe bashkëshortja. I kemi dy fëmijë: Arditin (1994) dhe Altinin (1997).
Arditi vitin e kaluar i ka përfunduar studimet për Bachelor në ETH Zürich (Elektroteknikë dhe Teknologji informative). Tani ka filluar të punojë për firmën Stadler Rail në Busnang.
E tash po i kthehem Altinit.
Si fëmijë ka qenë shumë I dashur dhe ka patur shumë shokë. Lojën e ka patur primare. Në moshën 12 vjeçare e pata dërguar te mjeku i syve për kontroll (Dr. Bieri në Jona SG) e mes tjerash më pyeti se si është në shkollë? I thashë se nuk është keq. Më shikoi çuditshëm e më tha:
«Was, nicht schlecht! Der Junge hat viel Potential und glauben Sie mir, ich habe viel Erfahrung und erkenne das sofort.» (Si nuk është keq, djaloshi ka shumë potencial dhe më besoni, unë kam shumë përvojë në këtë drejtim dhe mund ta vërej menjëherë).

 

Doktori ishte pak para pensionimit e me të vërtetë kishte shumë përvojë, e më vonë doli që edhe kishte të drejtë.
Me kohë e mori mësimin shumë seriozisht dhe duke u bërë shumë aktiv në të gjitha lëmitë filloi të dallohet nga të tjerët. U angazhua edhe në radion lokale të shkollës. Në moshën 14 vjeçare vetvetiu e filloi programimin dhe po këtë vit e shkroi programin e parë komercial (i fitoi 500.- CHF). Ishte një program që shfrytëzuesve ju mundësonte ta bëjnë rezervimin e vendeve për një shfaqje teatrale (diçka e ngjashme me rezervimet që bëhen sot në kinema. Më vonë i bëri edhe disa tjera të ngjashme. Me këtë trend vazhdoi edhe në gjimnazin e shkurtë në KZO Wetzikon (kaloi në gjimnaz menjëherë pasi e përfundoi klasën e 8-të). Gjatë vijimit të gjimnazit ra shumë herët në sy për aftësitë e tij në informatikë dhe u angazhua në ekipin e IT së gjimnazit.

 

Për punim të maturës në gjimnaz me shokun e klasës Dominikun, vendosën ta ndërtojnë një robot shahu. Pas një pune të gjatë e të mundimshme ia dolën e me të patën sukses shumë të madh. I fituan disa çmime e padyshim se më i rëndësishmi është ai I “Schweizer Jugend Forscht». Me këtë punim patën nderin ta përfaqësojnë Zvicrën në Fortaleca të Brazilit. Në dhjetor të vitit të kaluar u ftuan nga Presidentja e Zvicrës (Doris Leuthardt).
Për suksesin e tyre me robotin e Shahut, Altini dhe Dominiku jan intervistuar nga disa media regjionale si: Zürcher Oberländer, Zürisee Zeitung dhe Tele Züri.

 

 

Pas mbarimit të gjimnazit, punoi si programer për 6 muaj te firma « Dorma Kaba » në Wetzikon. Në vazhdim, vitin e kaluar e ka përfunduar me sukses shërbimin ushtarak në Isone ku bëhet trajnimi i forcave speciale të ushtrisë zvicerane dhe mori titullin »Infanterie Grenadier».
Tani i ka filluar studimet për informatikë në ETH Zürich dhe si zakonisht i ka marrë me shumë seriozitet.
Pasion e ka kitarën dhe gjimnastikën. Gjthnjë kur ka kohë të lirë (për momentin e ka shumë të pakët) na kënaqë me tingujt e kitarës.
Me gjimnastikë merret qysh nga klasa e dytë (Turnverein Hombrechtikon) dhe edhe këtu i ka fituar disa medalje.

Me nderime,
Flori Aliçkaj