Gazetari shqiptar nga Maqedonia përmes lotëve i jep lamtumirën të ndjerit Agim Binaku

17:28:14                2018-02-09

 

 

Ndërroi jetë gazetari që suksesin e KF Bashkimi nga Kumanova e krahasonte me atë të Trepçës së Mitrovicës

 

 

Reshat Ibrahimi

Sapo kam hapur facebook-un shoh dhe lexoj postime nga miq-kolegë gazetarë sportive të Kosovës për vdekjen e gazetarit të mirënjohur sportiv dhe doajenit të gazetarisë sportive në Kosovë dhe jo vetëm, Agim Binaku. Nuk iu besova syve te mi. Mu duk lajm i pabesueshëm, sepse nuk pata dëgjuar se ka vuajtur nga ndonjë sëmundje. Mirëpo, e tillë është vdekja, vjen krejt papritur.  Si shumë të tjerë edhe për mua vdekja e Agim Binakut në moshën 62-vjecare ishte një lajm shumë i dhimbshëm, sepse tashmë të ndjerin kam pasur rastin ta njoh shumë më afër dhe të bashkëpunoj për vite të tëra.

Me Agimin bashkëpunimin e patëm nisur që në vitin 2003/04, kur Bashkimi i Kumanovës u promovua në Ligën e parë të Maqedonisë në futboll.

Tv 21 pati ardhur në Kumanovë dhe i pati kushtuar një dokumentar sportive KF Bashkimi dhe ngjitjes së tij në Ligën e parë.

Më kujtohet si sot suksesin e Bashkimin në ligën e parë të Maqedonisë e pati krahasuar me atë të Trepcës, kur mitrovicasit ishin inkuadruar në ligën e parë ishjugosllave (viti 1977), si dhe  për shkak të ngjyrave të njëjta që kanë këto dy klube.

Për çdo fundjavë kam qenë i ftuar në emisionin e njohur sportiv “2-1” në RTV 21 ku kemi diskutuar për futbollin dhe sportin në Maqedoni. Ai gjithmonë dëshironte që ti jepte publicitet të mjaftueshëm sportit në Maqedoni.
Shpesh më thoshte: “Reshat, për çdo fundjavë të pres në emision”. Më priste dhe më përcillte me buzëqeshje.

Agim Binakun para se ta njoh nga afër e dëgjoja në Radio Prishtina në emisionin që mezi e prisja ditëve të diela: “Pasditja argëtuese sportive” që emitohej në vitet e 80-ta kur Prishtina luante në ligën e parë ishjugosllave. Në emision shpesh e ftonte humoristin Mixhën Ramë dhe komentonin ndeshjet e Prishtinës. E afroja veshin e djathtë te radioja dhe dëgjoja zërin e tij dhe të komentatorit Azem Brovina. Janë kujtime të paharrueshme.

Sot (e premte, 9 shkurt 2018) Agimi paska ndërruar jetë. Gazetari sportive shqiptare është më e varfër për një njeri që ia kushtoi jetën gazetarisë sportive dhe sportit. Të qoftë i lehtë dheu i dashur dhe i nderuari koleg dhe mik Agim! Zoti të shpërbleftë me të mirat e tij. (Gazeta LAJM)

*

*

Top