Edin Limani, biri i atdhetarit nga Shkupi që po edukon fëmijët e varfër të Afrikës

22:00:36                2018-05-30

 

 

Edin Limani, është vetëm 18-të vjeç, por me të përfunduar gjimnazin ka marrë një vendim gjigant në jetën e tij. Me prejardhje nga Shkupi, i lindur në Hamburg të Gjermanisë, ai ka zgjedhur kontinentin e Afrikës, me qëllim që të ndihmojë fëmijët në nevojë, t’i ndihmojë ata në arsimimin e nevojshëm duke u hapur atyre dritaren e shpresës për një të ardhme më të mirë. Në një intervistë ekskluzive për “Lajm”, Edini shpjegon qëllimin e këtij udhëtimi, vendimin për të marrë rrugë kaq të largët, kulturën, traditën dhe kënaqësinë që të ofron ky kontinent.

LAJM: Edin, mund të na thuash më shumë se cili është qëllimi i udhëtimit tënd drejt Afrikës?
Limani:
 Pasi kam përfunduar shkollën e mesme në Hamburg të Gjermanisë, kisha dëshirë që para se të fillojë shkollimin tim të lartë në ndonjë nga universitetet e famshme të Gjermanisë, të shoh edhe pjesën tjetër të botës, të një bote më ndryshe nga ajo që kam jetuar deri më tani. Dëshiroja të ndihmoj këdo që kishte nevojë dhe njëherësh të kalitem më shumë për sfidat që i ka jeta. Si rrjedhojë e kësaj dëshire gjeta një shoqatë bamirësie e cila më mundësoi që të realizoj ëndrrën time. Gjermania sponsorizon të rinjtë që të shkojnë në vende të ndryshme të botës si në Afrikë, Azi dhe Amerikën e Jugut, me qëllim që të mësojnë rreth jetës së atjeshme, njerëzve si dhe të ndërtojmë ura bashkëpunimi ndërmjet shteteve dhe popujve të ndryshëm në të ardhmen.

LAJM: Në fakt, në cilin shtet afrikan po zhvilloni aktivitetin tuaj human?
Limani:
 Unë bëj punë vullnetare në një shkollë fillore të Kampalas, kryeqyteti i Ugandës. Aty ndihmojë t’i mësoj fëmijët në gjuhën angleze në klasën e pestë dhe të gjashtë. Jetoj në një familje të Ugandës, të cilët janë shumë të sjellshëm, mikpritës dhe të këndshëm me mua. Kjo njëherësh më ndihmon mua të përjetojë jetën reale dhe të përditshme të banorëve të Ugandës.

LAJM: Si janë nxënësit të cilëve iu ligjëron. Cfarë është ndryshe nga fëmijët në Gjermani?
Limani: 
Fëmijët këtu janë shumë të mençur, por jo shumë të ndryshëm nga fëmijët në Gjermani. Disa janë shumë të interesuar dhe të zellshëm të mësojnë, kurse ka edhe nga ata që më shumë kanë qejf të lozin dhe nuk i kushtojnë shumë rëndësi mësimit.

LAJM: Mund të na thuash më shumë për kulturën e Ugandës?
Limani:
 Është e vështirë të thuash diçka për kulturën, pasi Uganda është një vend me plotë kultura të ndryshme, grupe njerëzish, fise dhe gjuhë të ndryshme. Mund të udhëtosh vetëm pak kilometra dhe do të shohësh fytyra të ndryshme, njerëz që flasin gjuhë të ndryshme. Por ajo që më ka lënë mbresa të mëdha është se njerëzit janë shumë miqësor dhe të gatshëm të ndihmojnë. Ata janë gjithahstu shumë tolerantë,duke pranuar çdo religjion dhe etni.

LAJM: Duke pasur parasysh se pak kemi njohuri për Ugandën dhe në përgjithësi për Afrikën, çfarë e bën të veçantë këtë vend?
Limani:
 Uganda konsiderohet si “perla e Afrikës” dhe jo më kot quhet kështu. Aty sheh dhe përjeton mrekulli të panumërta nga fushat e gjëra me barë deri te xhungulat, nga malet e larta deri tek vullkanet. Lumi Nil ka origjinën e tij në Ugandë si dhe liqeni Viktoria përbën një pjesë magjepsëse në jug. Ekuadori kalon përmes Ugandës, ndërkaq aty është një prej vendeve që ende ekzistojnë gorilat e egra dhe shimpanzot. Aty mund të gjesh të gjitha kafshët tipike afrikane siç janë luanët dhe elefantët, kudo në parqet kombëtare të Ugandës.

LAJM: Si ia bën me ushqimin. Cfarë është karakteristikë e kuzhinës së Ugandës?
Limani: 
Për shkak të klimës perfekte tropikale në Uganda mund të shijosh frutet dhe perimet e freskëta gjatë gjithë vitit. Mango dhe ananasi janë shumë të ëmbëla, por njëri nga ushqimet më tradicionale këtu quhet “matooke”. Ky ushqim është një banane e fërguar dhe zakonisht shërbehet me sos të shijshëm nga kikirikat. Gjithashtu, për shkak të liqenit të Viktorias dhe lumit Nil në kuzhinën e Ugandës gjen edhe llojllojshmëri të specilaitetve të peshkut.

LAJM: Një porosi për shqiptarët pas përvojës tënde në Ugandë?
Limani:
 Vendosni që kapacitetin tuaj intelektual ta ndani me të tjerët, t’i ndihmoni ata që kanë nevojë, qoftë edhe më një këshillë. Të rinjtë duhet të bëhen shëmbëlltyrë e gjeneratave tjera, të ndryshojnë nga lagja e tyre, fshati apo qyteti ku banojnë me punë vullnetare dhe bëmirësie qoftë gjatë vikendit ose kurdo që kanë kohë ata. Sigurisht i inkurajoj të gjithë që të përpiqen maksimalisht për të arritur majat e suksesit dhe çdohet të luftojnë që të bëhen më të mirët në atë që ata e ëndërrojnë. Bëje për tjetrin atë që e don për vete!

Kush është Edin Limani?
Edin Limani është i lindur në Hamburg të Gjermanisë dhe është i biri i atdhetarit të mirënjohur nga Luboteni i Shkupit, Enver Limani. Ai ndonëse i lindur dhe rritur në Gjermani, ndjehet krenar me prejardhjen e tij shqiptare dhe e shfaqë atë me dashuri gjithandej ku ndodhet. Humanitetin në Uganda dëshiron ta zgjerojë edhe më shumë duke motivuar të rinjtë gjithandej të ndihmojnë aq sa munden. (Gazeta LAJM)

Top