Çartet nëna e viktimës nga Maqedonia, gjashtë vite burg për vrasësin e djalit i duken pak

10:59:25                    2018-02-21

 

Pas shqiptimit të vendimit gjyqësor, nëna e viktimës 30-vjeçare nga Maqedonia, që u vra gjatë një dasme rome në Gjermani, në qershor të vitit të kaluar, ka shkaktuar trazira në sallën e Gjykatës për disa minuta.

Vetëm me forca të bashkuara, antarët e familjes dhe miqtë kanë arritur ta nxjerrin nga salla gruan e irrituar. „Çfarë ligji është ky? Djali im është vrarë, fëmijët e tij po rriten pa baba, kjo është padrejtësi“, ka bërtitur nëna e viktimës. Thjesht, ajo nuk ka mundur të kuptojë se si është e mundur që vrasësi të dënohet me vetëm gjashtë vite burg.

Në të vërtetë, dallimi i kërkesës për dënim ka qenë shumë i madh. Përderisa prokurorja ka kërkuar nëntë vite burg për të akuzuarin 35-vjeçar, avokati i viktimës dënim prej më tepër se dhjetë vitesh, pala mbrojtëse është pronocuar për lirim nga akuza dhe pafajësi, pasi mandanti i tij ka vepruar në vetmbrojtje. „Ishte apo jo vetëmbrojtje?“, kjo pyetje e preokupoi për një kohë të gjatë trupin gjykues të Gjykatës së Tubingenit, siç ka theksuar gjatë shqiptimit të dënimit gjykatësi Ulrich Polachowski. Më në fund, trupi gjykues ka ardhur në përfundim se i pandehuri është fajtor për vrasje, shkruan „Tagblatt.de“, përcjellë Shtegu.com. Megjithatë, shqyrtimi i veprës ka filluar me aktin e vetëmbrojtjes. Por, se çfarë ka ndodhur saktësisht në dasmën e 08.07.2017 në „Gutenberghalle“, për disa ditë të seancës gjyqësore nuk ka mundur të sqarohet. Gjykata është bazuar në dëshmitë e pjesëmarrësve të dasmës, të cilët kanë pohuar se fillimisht sulmi është ndërmarrë nga familja e viktimës.

Edhe përkundër faktit se familjet në fjalë, për vite të tëra kanë qenë në mosmarrëveshje, i pandehuri me të bijën e vet ka dashur të festojë në dasëm në mënyrë të qetë dhe nuk ka pasur në mendje asgjë të keqe. Pasi kishte dalur para sallës së dasmës për të ndezur një cigare, viktima, vëllai i tij dhe babai i kanë shkuar pas. Menjëherë kanë filluar të goditurat me grushte, njofton më tej Shtegu.com. Ka qenë një sulm krejtësisht i padrejtë gjatë të cilit i pandehuri është lënduar lehtë. Përkundër kësaj, ai ka pasur qëndrim vetëmbrojtës dhe është larguar.

Pas 15 metrash, ai ka nxjerrë thikën, e ka hapur dhe ka vazhudar të ecë mëtutje. Viktima i ka shkuar pas, ndërsa ai e ka goditur pa paralajmërim. „Po ta kishit lënë të qetë ti dhe babai yt, tani nuk do të qëndronim ulur këtu dhe vëllai yt do të ishte gjallë“, i ka thënë Polachowski vëllait të viktimës.

Veprimi është kryer pas zënkave disavjeçare që janë shkaktuar midis dy familjeve. Gjatë kësaj periudhe, në mes tyre ka pasur akuza për përdhunim, shpifje, nderi i humbur dhe ndjenja të dëmtuara. Për momentin, bashkëshortja dhe tre fëmijët e viktimës janë në programin e dëshmitarëve të mbrojtur, në rast të ndonjë hakmarrje eventuale. Vrasësi dhe viktima janë pjesëtarë të familjeve të mëdha rome nga Maqedonia. Pas reagimit të ashpër të nënës së viktimës në sallën gjyqësore, duhet llogaritur se kjo armiqësi do të zgjasë edhe më tej. (Shtegu.com)

Top