Videoart për të kuptuar Shqipërinë

 

Nga radio gjermane DW/

 

Arti shqiptar ka krijuar ura komunikimi me artin bashkëkohor, megjithë vështirësitë e vendit të vogël. Festivali i parë i videoartit në Vjenë – një dëshmi tjetër se nga e ashtuquajtura “provincë” vijnë idetë më të mira.

Grumbuj të pafund njerëzish që derdhin lotë, këputen nga pikëllimi para kamerave, sepse diktatori ka vdekur, – ngjyra të ndezura e forma kubiste mbi fasada të rrënuara, – një vajzë që i jep ngjyrë fotografisë bardhë e zi të nënës – disa nga imazhet e Festivalit të parë të Videoartit nga Shqipëria të organizuar në Vjenë në muzeun Belvedere 21. (08.-09.03.)

Për dy netë 13 videoartistë shqiptarë i prezantuan publikut austriak art multimedial jo vetëm për të njohur skenën e artit të tyre, por edhe për të kuptuar Shqipërinë. Një pjesë e tyre ka dalë prej vitesh nga gjeografia shqiptare e kontribuon në artin bashkëkohor europian si Anri Sala apo Adrian Paci, të tjerë lëvizin lirshëm në skenën perëndimore të artit, kanë studiuar jashtë Shqipërisë duke mbledhur përvoja e eksperimentuar me trashëgiminë shqiptare dhe eksperiencën e re – Silva Agostini jeton në Berlin, Elsa Martini në Vjenë, Violana Muranaj në Nju Jork dhe Tiranë, Ermela Teli në Zvicër, Adrian Paci në Milano dhe Shkodër, – Arti shqiptar ka kohë që ka dalë nga ngushtica e provincës artistike, por megjithatë: “Ne akoma jemi një vend i vogël, një vend i mënjanuar disi nga kanalet e mëdha të diskutimit kulturor e artistik, por nuk jemi të përjashtuar. Edhe ky festival është pjesë e këtyre përpjekjeve për të krijuar një dialog mes skenës së artit shqiptar dhe skenës botërore, por këto janë procese që duhen mbajtur gjallë vazhdimisht”, thotë Adrian Paci, një artist i njohur tanimë.

Adrian Pacis aus Albanien (DW/L. Arapi)Adrian Paci

Trashëgimia e diktaturës – lëndë për artin

Për artistin shqiptar trashëgimia e diktaturës është tani pjesë e imagjinatës artistike. Një e kaluar sado e rëndë kur transformohet në art mbetet aktuale në kujtesë – si në videon artistike të Adrian Pacit “Interregnum” për deformimin e individit në diktaturë, në monologun e videoartistit Driant Zeneli që hedh një vështrim në fëmijërinë e tij në diktaturë teksa bën një autoportret nga fotografia, apo në paraqitjen vizuale të historive të viktimave të diktaturës nga grupi artistik “Memo”, me tekste të shkruara nga shkrimtari Agron Tufa.

Österreich Festival Belvedere 21 Videokunst aus Albanien (Adrian Paci)Masa njerëzish qajnë e i japin lamtumirën diktatorit – Interregnum nga Adrian Paci

Viktimat e diktaturës nuk flasin dot më sot, por historitë e tyre rrëfehen nga të tjerët në projektin MEMO. Zëri i tyre i dhimbjes është zëri i artistëve të sotëm që kanë fatin ta jetojnë lirinë, prandaj edhe nuk duhet të harrojnë. Një përmendore e kujtesës mbi diktaturën që mund ta ngrejë si të tillë vetëm arti. Pikërisht për përballjen me këtë traumë, sipas artistit Leonard Qylafi, nevojiten instrumente të ndryshme multimediale. “Hyrje në memorjen kolektive përmes perspektivës personale”. Nuk mjafton fjala, vizualiteti, por duhet edhe tingulli, edhe thithja e ambientit përreth, edhe dokumentimi. Tingulli i bashkuar me vizualen jep efektin e fortë të videos së tij “Nailsong”, ku një dorë e trazuar vizaton rrathë të çrregullt koncentrikë në praninë e një zëri paralajmërues.

Österreich Festival Belvedere 21 Videokunst aus Albanien (DW/L. Arapi)Leonard Qylafi në bisedë me Claudia Slanar dhe Violana Murataj

Videoart – një zhanër i përqafuar nga artistet shqiptare

Skena e videoartit shqiptar nuk është një terren i dominuar nga meshkujt. Artistet shqiptare ka kohë që eksperimentojnë me imazhet e refleksionet e tyre. Një fokus i veçantë në festival ishin punimet e artisteve shqiptare. Annemarie Türk e shpjegon këtë zgjedhje. “Artistet nuk janë ende të prezantuara siç e meritojnë, një fenomen që gjendet kudo në botë. Për shkak se dita e parë e këtij festivali ishte edhe 8 Marsi, Dita Ndërkombëtare e Gruas ka qenë gati një detyrim që ta vendosnim një pikërëndesë në skenën e artit të krijuar nga femrat.”

Österreich Festival Belvedere 21 Videokunst aus Albanien (DW/L. Arapi)Violana Murataj

Shumica e videoartisteve vijnë nga bota e penelit. Violana Murataj e zbuloi videoartin, kur erdhi për herë të parë një kamera në shtëpi “U ndjeva kaq pranë këtij mediumi, çdo ditë e më shumë zbuloja diçka të re.” Pas studimeve të videoartit në Nju Jork ajo u kthye në Tiranë, jo thjesht për shkak të diellit, por të klimës shqiptare. “Aq më tepër Shqipëria të ofron mjaft mundësi për të trajtuar tematika të artit, qofshin këto sociale, familjare, ka shumë tematika të prekshme për ne artistët dhe për secilin artist kjo mund të krijojë hapësira të gjera për t’i trajtuar ato në art”.

Elsa Martini, që jeton prej 10 vitesh në Vjenë kthen në art jo vetëm kujtesën e marrë nga vendlindja, por edhe përvojën në vend të huaj. Shqipëria dhe Vjena janë për të “interferime” që pasurojnë njëra-tjetrën. “Më është dashur të punoj me asimilimin e kulturës këtu, por edhe riparjen e historisë sime nga një pikë tjetër vështrimi. Më është dashur t’i ristrukturoj mendimet, emocionet, të gjithë jetën time.” Në punimin e saj “Executing love” ajo përpunon përvojën e emigracionit. Një puthje që duket se nuk merr fund mes dy personave, një burrë e një grua në uniformë të autoriteteve të sigurisë, një puthje e parealizuar për shkak të ndarjes nga një xham.

Österreich Festival Belvedere 21 Videokunst aus Albanien (DW/L. Arapi)Elsa Martini

Ermela Teli që prej tre vitesh jeton në Zvicër u prezantua me punimin “A political care”, një video artistike mbi jetën e familjeve rome në periferi të shoqërisë në Shqipëri. Ajo e kupton artin “si një nevojë të brendshme për të komunikuar edhe përtej mureve të Shqipërisë dhe problemeve ekonomike, unë flas, ndjej dhe jetoj në mënyrën time si krijuese. Udhërrëfyesi im në rrugën e artit është vetë jeta, dhe ajo që unë zbuloj duke e njohur atë përmes sfidash, rrethanash dhe ngjarjesh.” Videoartistet shqiptare, mes tyre edhe Donika Çina, Alketa Ramaj, Silva Agostini sollën momente të tjera të shkurtra, herë pas here reflektime private por të kaluara në sitën e artit ato sillnin një dimension tjetër, atë të marrëdhënieve njerëzore.

Kryeqyteti, rrënimi dhe ndryshimi

Anri Sala, artisti shqiptar ndërkohë mjaft i njohur në botë, nuk ishte vetë në Vjenë, por me punimet e tij “Déjeuner avec Marubi”, – titulli që mbante edhe festivali – dhe punimin e tij të njohur ndërkohë, në galeritë botërore, “Dammi i colori”. Ngjyrat si mënyrë për t’i ikur trishtimit të një “qyteti të vdekur”, siç rrëfen një zë në sfond, zëri i Edi Ramës, atëherë kryebashkiak i Tiranës që ndërmori aksionin e njohur të lyerjes së fasadave në Tiranë. Ndërsa kamera dokumenton ndryshimin e Tiranës, në sfond dëgjohet zhurma tipike e Tiranës.

Videoartisti që prezantoi Shqipërinë Bienalen e Venecias në vitin 2017, Leonard Qylafi, solli një këndvështrim tjetër, ai sheh me syrin e artistit ndryshimin kaotik të Tiranës. Në një montazh fotografik dokumentohet hap pas hapi transformimi i peizazhit para dritares së artistit, imazhe që të bëjnë të kuptosh edhe anarkinë urbane që shoqëroi këto vite Tiranën. Ergin Zaloshnja, një artist i angazhuar politikisht, për të arti është “mjet për të kritikuar strukturat e pushtetit”. Punimi i tij, “Tha Last Hope” dokumentonte një projekt në afërsi të Liqenit Artificial.

Österreich Festival Belvedere 21 Videokunst aus Albanien (DW/L. Arapi)Kuratorja e festivalit “Déjeneur avec Marubi”, Annemarie Türk

“Déjeuner avec Marubi” – një festival i kufizuar në dy netë por me imazhe intensive. Në intervalet mes prezantimit të videove publiku austriak kishte mundësi të njihte artistët nga Shqipëria përmes bisedave të organizuara me ta. Kur dëgjon të flasin artistët shqiptarë për këmbënguljen e tyre për të vazhduar rrugën e tyre si artistë, megjithëse ajo nuk është e lehtë, kupton se kjo rrugë të paktën është shtruar me motive të forta që mezi presin të transferohen në art. “Pikërisht në periferitë larg të ashtuquajturave qendra gjen projekte e ndodhin gjëra shumë interesante, sidomos në hapësirën e kulturës dhe artit, skena e artit shqiptar ka kohë që është një pjesë e rëndësishme e artit europian”, përmbledh Annemarie Türk.

Artistët shqiptarë që morën pjesë në festivalin e parë të videofilmit ishin Silva Agostini, Donika Cina, Elsa Martini, MEMO, Violana Murataj, Adrian Paci, Leonard Qylafi, Alketa Ramaj, Anri Sala, Ermela Teli, Ergin Zaloshnja, Driant Zeneli, Fani Zguro. Për organizimin e festivalit punoi Annemarie Türk me mbështetjen e Zyrës së Kancelarit të Austrisë. Punimet u prezantuan në Kinemanë Blickle në Belvedere 21, Muzeun e Artit Modern. /ina-online

Please follow and like us:
118522

*

*

Top