Shfaqje diplome: Konfirmim estetik i një tendence novatore në teatrologjinë tonë

75 Lexime

Ky grup i studentëve po vjen edhe si frymë e re në teatrin tonë, kurse pedagogjia skenike-dramaturgjike e Refet Abazit është edhe një konfirmim estetik i një tendence novatore në teatrologjinë tonë moderne

Emin AZEMI

Në tragji-komedinë ‘Azizi ose dasma që shpëtoi Prendimin’ e shkruar në vitin 2006, dramaturgu kroat Predrag Luçiqit, ka sjellur atmosferën që krijon industria e frikës në një shoqëri të patrazuar, të konsumit dhe mirëqenies, ku papritmas çrregullohet gjithçka pasi paraqitet njëfarë Azizi, për të cilin një grup dasmorësh nuk dinë asgjë, kush është, prej nga vjen, pos që hamendësojnë se mund të jetë nga Maroko, për shkak të ngjyrës së lëkurës së tij dhe pagjindshmërisë në një situatë dhe ambient krejt të ri e të panjohur.

Reagimi i parë i dasmërëve është histerik dhe, si në çdo perceptim paragjykues, edhe me këtë rast Azisi është projektuar në orbitën e vendorëve si një terrorist potencial, që pritet të shpërthejë nga çasti në çast dhe të ngrejë në ajër gjithçka për rreth.
Propaganda në shkallë globale kishte krijuar psikozën e frikës ndaj emigrantëve, ndaj njerëzve me ngjyrë tjetër, racë tjetër, kurse dhe viktimë e kësaj propagande është edhe një grup dasmorësh të cilët futen në një atmosferë rrëmuje, pasi që ndjehen të rrezikuar nga gjithçka që vije bashkë me emigrantët.

Tematikisht kjo fabulë mund të locohet kudo, kurse alegoria teatrore që përvijohet nga zhvillimi i antagonizmave në mes të panjohurës, që personifikohet me Azizin dhe dasmorëve të traumatizuar që ngandonjëherë nuk dine edhe si të reagojnë ndaj pranisë së një të huaji, përbëjnë boshtin fabulativ të kësaj pjese tragji-komike.

Humori, satira, ironia, grotesku, janë mjetet ndihmëse që i japin shfaqjes një kontrapunkt përmbajtësor.

‘Azizi ose dasma që shpëtoi Prendimin’, është shfaqje e diplomës e studentëve (Almedina Sadiki, Mentor Kurti, Mumin Abdullahu, Gëzim Zherka, Sara Bajrami, Gentiana Ramadani, Dea Pajaziti, Kujtime Ahmeti, Eldin Shiroki, Flakron Aliji) të Refet Abazit dhe Hismet Ramadanit, nga Fakulteti i Arteve Dramatike në Shkup.
Në këtë shfaqje u angazhuan si mysafirë edhe Hakan Daci (Azizi) dhe Batuhan Ibrahimi (njeriu me kamerë).

Kjo shfaqje e studentëve doli e kompletuar edhe në aspektin e skenografisë ( Krste S. Xhidrov), kostumografisë (Marija Papuçevska), koreografisë ( Krenare Nevzati , të dritave (Ibrahim Xhemaili) dhe zërimit (Xhemail Xhemaili.

Të ardhur nga një shkollë tash më e njohur e aktrimit, studentët e Fakultetit të Arteve Dramatike në Shkup, që realizuan këtë shfaqje, dëshmuan se i kanë kaluar me sukses të gjitha sprovat e mjeshtërisë skenie, që nga ndërtimi i karaktereve e deri te plasticiteti i lojës. Ky grup i studentëve, tash më aktorë të diplomuar, po vjen edhe si frymë e re në teatrin tonë, kurse pedagogjia skenike-dramaturgjike e Refet Abazit është edhe një konfirmim estetik i një tendence novatore në teatrologjinë tonë moderne. Loja, ritmika, plasticiteti karakterologjik i roleve, muzika, ishin disa nga ‘navigatorët’ më sygjestiv që i ia dhanë kësaj shfaqjeje petkun e një realizimi të arrirë dhe mjaft shpresëdhënës për nga potenciali aktoresk, aq shumë i munguar në teatrot tona. (koha.mk)