SALAJDIN SALIHU: SHËNIME NGA ZVICRA

01:59:33            2016-06-12

 

 

 

 

QIELLI. Gjithçka fillon me një performancë të trishtë. Stjuardesa e kompanisë “Helvetica”, e bukur, e qeshur, miqësore (të duket sikur aktron, se buzëqeshja e saj është prej plastike, njëfarë uniforme pune, një maskë) demonstron se si duhet të sillemi në rast të ndonjë të papriture. Pastaj… pasagjerët heshtin. Bëhen gati për “fluturim”.

Thonë se fluturimet ngjallin frikë kur fillon ngjitja lart dhe kur aterron. Siç me jetën njerëzore. Pastaj vjen ambientimi…

***

Në lartësi ndërmend vargje për qiellin. Krijimi artistik, përgjithësisht, është ndërlidhur me qiellin e fluturimin, siç na përshkruan dhe “princi i qelbësirave”, i quajtur Bodler. Pegasi, kali mitologjik, që poetëve ua sillte frymëzimin, pra vargjet, ishte imagjinuar si qenie fluturuese.

“Qielli qan me borë, qan dhe zemra ime”; “Vetëm qielli e di sa të dua”;“Të adhuroj sa kupën e qiellit kur nata bie përqark”; “Qielli u jepet vetëm kontrollorëve të fluturimit”, apo “Poeti dhe hëna, qenie vetmitare, të brishta, njëra në tokë, tjetra në qiell, të largët e të ngjashëm shpirtërisht”. Ose: “Koha thyen dhe qiejt më të kaltër”. Apo: “Flas sepse ka një qiell që më dëgjon”. Janë vargje autorësh të ndryshëm. Sërish Bodleri dhe poezia “Ngjitja në qiell”:“Fluturo larg nga kjo duhmë e pështirë, / Shko të spastrohesh lart në ajrin qiellor / Dhe, si një liker të kulluar hyjnor, / Pi zjarrin e qartë te hapësirë e dëlirë. / Përtej mërzish e hidhërimesh të neveritshme / Që i bëhen barrë në këtë jetë, / Fatlum është ai që me flatrën e shpejtë / Mund të hovet drejt hapësirash të ndritshme”(Përktheu A. Papleka).

Pastaj një sërë autorësh të lashtë, të antikitetit, të cilët ngjarjet i vendosin sa në tokë, po aq në qiell, e mbase në qiell më shumë, sepse atje lart projektohet gjithçka që duhet të ndodh në tokë. Në qiell janë hyjnitë që ndërhyjnë pareshtur në fatet njerëzore. Ndërhyjnë herë si shpëtimtarë, herë për shkaqe xhelozie ose kaprice të ndryshme. Pastaj një tjetër imazh: një shqiponjë që fluturon me një breshkë ndër kthetra. Shikimi i është i mjegulluar. Sheh poshtë një si shkëmb, por shkëmb nuk është. Lëshon breshkën prej së larti. E përgatit prenë për drekën a darkën e saj. Dhe sapo breshka bie poshtë dhe e godet “shkëmbin”, dëgjohet vetëm një klithje. Pastaj qetësi. Shqiponja i afrohet presë së copëtuar. Pranë breshkës një trup njeriu. Njëri nga më të përjetshmit e letërsisë botërore. Emrin ja thonë Eskil. Së paku ky është njëri nga variantet e vdekjes së tragjedianit grek. Ndoshta e vërteta nuk ka lidhje me këtë legjendë. Ndoshta ai ka folur apo shkruar diçka që nuk duhej të fliste apo të shkruante…

***

Teksa fluturoj më lind ideja të shkruaj një libër për qiellin. Ose të bëj një antologji poezish më të bukura për fluturimin, për retë, për gjithçka që i përket asaj bote të ajërt, të ëndërrt, eterike… Pastaj…

Sapo aterrojmë na ofrohet nga një sheqerkë nga e bukura stjuardesë, ajo e qeshura, e qeta, e paqmja. Buzëqeshja e saj nuk duket si prej plastike, por shumë njerëzore, disi engjëllore. Pasagjerët e përshëndesin me mirësjellje pilotin. Jeta e tyre, deri pak çastesh, ishte nën vullnetin e tij. Sikur dua t’i them: “Jam njëfarë fluturuesi. Njëfarë Pegasi, albatrosi, por rrallë, vetëm kur shkruaj”. Markesi: “Jam shkrimtar vetëm kur shkruaj, përndryshe jam si gjithë idiotët e tjerë”

Jam poshtë. Vetëm tani e kuptoj se poezia më ka shpëtuar nga frika prej lartësisë. Ajo është vetë lartësia.

FLUTURIMI. Gjithë jetën kisha fluturuar (nëpërmjet fantazisë, s’ka rëndësi), si çdokush që merret me letërsi, e sërish kisha frikë “të udhëtoja” me avion. Qielli. Bodleri. Hyji që poetëve ua fali vetëm kaltërsinë, sepse ishin vonuar. Si përherë ata vonohen. Vijnë me vonesë që të mos ikin kurrë. Bëhen pjesë e qiellit të së ardhmes. E qiellit të kujtesës njerëzore. Dhe, paradoksalisht, nuk e mësojnë se janë aty përgjithmonë. Ishin vonuar teksa ndaheshin të mirat e kësaj bote. Mbase ishin dehur pas bukurisë së një luleje, të një detaji të parëndësishëm për miliona sy të tjerë. Mbase u kishte kaluar pranë një vajzë dhe ishin magjepsur pas hireve të saj, duke harruar se vendosej për fatin e tyre, sikurse na e thotë legjenda, pas së cilës joshen këta ëndërrimtarë të përhershëm. Mbase ky ishte fati i paracaktuar dhe me ta luhej vetëm një lojë. E rëndësishme se për ata mbeti qielli. Qielli herë i kaltër, si pasqyrë prej ajri. Herë me re kalimtare. E nga ky qiell ata panë shumëçka dhe rrëfyen si prej së larti, prandaj dhe shpesh mbetën të keqkuptuar..

***

Fjala “udhëtim” me avion, pra nëpër ajër, gjithmonë më është dukur e pavend. Të ecësh nëpër ajër! Isha betuar se nuk do të ngjitesha lartësive, njëfarë pasioni im rinor. Mania e ngjitjes nëpër kepa të rrezikshëm, ku vetëm një pakujdesi e vogël të çon në dimensionet e matanshme, ngjall ndjenjë të papërshkrueshme. Ngjitja e rrezikshme të bën sy e veshë. Çdo hap e bën kujdesshëm. Je rob i perfeksionit. Asnjë detaj s’i shpëton shikimit tënd. Zemra rreh fortë, por nuk ndjen frikë. Ke një synim: ngjitjen në maje. Të ngjitesh nëpër kepa të thepisur duhet të rrezikosh. Madje, të rrezikosh pak si tepër. Për dallim nga ngjitjet tjera, këtu nuk lejohet gabimi. Asnjë i vetëm. E sa ngjitesh lart të kaplon frika. E ndjen se herët apo vonë do të ndodh gabimi.

Në rini ishte një rrëshqitje këmbe teksa ngjitesha nëpër lartësi. Një rrëshqitje që mund të më çonte në hon. Ishte fati (sa herë i ka ndihmuar fati ata që guxojnë të bëjnë ndonjë çmendi) që më shpëtoi.

Pas gabimeve të këtilla e ndjen se duhet të thuash: Mjaft! Dhe jo vetëm kaq: pas disa kohësh i gjithë guximi për ngjitje, të kthehet në frikë të përhershme nga lartësitë. Dy gjëra më kanë joshur dhe më kanë frikësuar: lartësia dhe nata. Ndoshta për shkak të një frike fëmijërore prej natës, për mua nata u bë ditë dhe dita u bë natë. Nata u bë dita e mendimeve, frymëzimeve apo marrëzive të mia.

***

Po çfarë ishte ky ndryshim mendjeje për të fluturuar? Nuk kam shpjegim për këtë guxim të papritur. Ndoshta se qëmoti nuk kisha vizituar ndonjë vend europian. Ndoshta, te kjo “ndoshta” është shkaku i këtij guximi. Ndoshta për të ikur nga kthetrat e bezdisë, prej të cilave nuk çlirohesha me vite. Ndoshta një vendim i marrë në kulmet e ankthit. Ndoshta ndërlidhet me një emër, njëfarë Jorge apo Borges; tek adhurimi im për këtë shkrimtar, poet, eseist, enciklopedist.

***

I adhuruari im, me të cilin nuk jam pajtuar përherë, e që më së shumti i shkon thënia e Sabatos për të: “u ndamë për shkak të ngjashmërive dhe u bashkuam për shkak të dallimeve”, pra ky argjentinas, në verbërinë e të cilit ishin dendësuar imazhe të një bote të largët e të afërt, të një parabote, të një tejbote, të andejshme, të këtejshme, mistike e mitike, irreale e reale, të vërtetë e të gënjeshtërt, pra ky “Labirint i qetë”, siç e kanë quajtur, i privuar nga bota e dukjeve, pëlqente të jetonte në Zvicër, në këtë shtet ku njerëzit nuk e dinë emrin e presidentit të shtetit; në këtë shtet “neutral”, në mes të Europës. E ky shtet ishte “parajsa” e tij, ku dëshironte jo vetëm të jetonte, por, me sa dukej, edhe të vdiste.

Dhe kur i adhuruari pëlqen një vend, ke një shkak ta zbulosh këtë adhurim. Pa e shkelur atë vend, pa e ndjerë atë realitet, pavarësisht çfarë ke lexuar, vështirë e kupton përmasën e këtij adhurimi.

“Thoni që Borges-i është një individualist. Që ai e urren fashizmin, komunizmin, dhunën e budallenjve, thoni që Borges-i do të donte të ishte zviceran, qytetar i këtij vendi të sajuar, ku nuk njihet emri i presidentit. Dhe pastaj, thoni edhe që Virgile-i është i mrekullueshëm”. (Portalb.mk)

Top