Gjergj Elez Alia, Katallani dhe Bajlozi

1.Bajlozi dhe katallani? Në përfytyrimin e thjeshtuar fëminor të dy janë vete (personazhe) përrallash, të dy të mëdhenj e të tmerrshëm, të dy vrasin e presin. Sipas skemës së këtij përfytyrimi, mund të ngatërrohen lehtë me njëri-tjetrin. Në psikologji ngatërresa kësisoj bëjnë pjesë te ajo dukuri që njihet si shoqërizimi (asosacioni) i analogjisë. Në qoftë se fëmijët janë të shfajësuar për këso ngatërresash, kjo nuk mund të thuhet për të rriturit e shkolluar. Për njerëzit e letrave, aq më pak.

2.Çfarë t’i themi një shkrimtari, emër i parapëlqyer nëpër gazeta edhe për shkak të prapavijës familjare, i cili, gjatë një interviste, bën përqasje me dyluftimin e Gjergj Elez Alisë me “katallanin”? Edhe në qoftë lapsus, sipas psikoanalizës ky soj “lapsusi” dëshmon të vërteta të nënvetëdijes. Pra thellë-thellë ai shkrimtar e ka të nëpërtymtë dallimin midis katallanit e bajlozit. Një tjetër autor që ka botuar një libër, edhe ai qysh në titull ve Gjergj Elez Alinë përballë “katallanit”. Të njëjtën gjë bën një e përditshme kohët e fundit. Duke u ndalur te martesa e një vajze boshnjake me një djalë prej Nikaj-Mërturit, kallëzon se ai ishte “një djalë simpatik, mustaqegjatë, trupmadh, si një Gjergj Elez Ali i dalë nga bjeshkët pas duelit me katallanin”! Duket qartë se shkruesi i asaj kronike s’e ka lexuar kurrë poemën e Gjergj Elez Alisë, i cili aty nuk përshkruhet as simpatik, as mustaqegjatë, as trupmadh. Përkundrazi, djaloshi dergjet prej nëntë vjetësh në shtrat me nëntë varrë që nuk i mshelen dhe shtati i tij është aq i ligështuar, sa armiku e ironizon me cinizëm: “P’a prej vorrit Gjergj ti kanke çue/ Pse me m’qitë bre burrë, n’këtë fushë mejdanit!”. Dhe është aq i rrënuar fizikisht pasi i pret kryet bajlozit, sa përqafon të motrën dhe bie vdekur në tokë. “Vlla e moter dekun paskan ramun!”. Dhe armiku, me të cilin përballet, sigurisht që nuk është katallani. Është bajlozi, të cilin e mposht jo me fuqinë e shtatit, por me fuqinë morale. Me fuqinë shpirtërore të superheroit.   Katallani e bajlozi,  të dy janë figura mitologjike. Por qartazi të ndryshëm.

3.Bajlozi nuk ndeshet në përralla. Bajlozi shfaqet si kundërheroi i poemës së Gjergj Elez Alisë dhe vetëm aty. A dalë zani e paska marrun dhenë/Se ‘i baloz i zi â dalë prej detit…Personazh relativisht i vonë, nuk shkon tej mesjetës. Siç shtjellon Çabej, bajloz është fjalë italisht (veneciane), me sa duket hyrë nëpërmjet turqishtes, por edhe me gjurmë të greqishtes (mbaresa oz). Në epikën legjendare të Veriut në vend të bajloz herë-herë thuhet harap i zi, por asnjëherë katallan. Me sa duket harapi i zi është gjurmë në kujtesë e dyndjeve arabe. Katallani, përkundrazi, është personazh përrallash. Në letërsinë gojore të Veriut ciklopi nuk njihet me këtë emër, quhet katallan. Në degëzimet e thjeshtuara të Odisesë, që kallëzohen në trajtë përrallash, gjithnjë përmendet si katallan. Është me një sy si ciklopi, i fuqishëm e i tmerrshëm si ai, domethënë është ai. Kanibal i mirëfilltë si ciklopi, e pjek njeriun në hell si berr dhe e ha. Ndonëse emri katallan është i ri (ka dalë nga sjelljet e ushtarëve të Katalonjës, të njohur për mizoritë në Ballkan në fillim të qindvjetëshit të pesëmbëdhjetë), si personazh, ciklopi,  është i moçëm, qysh prej Homerit. Katallani vlerësohet si mbeturinë e figurës së Polifemit në Shqipëri.

4.Në Fjalor i Shqipes së Sotme, botim i Akademisë së Shkencave, i ripunuar (Tiranë, 2002), për katallanin shkruhet: “Figurë e përrallave popullore, që përfytyrohej si njeri i egër, me shtat vigan e me një sy në ballë, i cili hante njerëz; ciklop (edhe si mbiemër)”. Po aty për bajlozin bëhet ky shtjellim: “1. vjet. Ambasador. 2. mit. Figurë në legjendat e rapsoditë popullore shqiptare, që përfytyrohej si një vigan, i cili vinte nga deti e bënte të këqija. Bajlozi i zi”. Siç shihet, Fjalori i Shqipes së Sotme bën dallim të qartë ndërmjet katallanit dhe bajlozit. Tjetër gjë se shtjellimi është fort i thatë, me gjuhë gati fëminore. “Përfytyrohej si një vigan” (pse duhet shtuar numrori/nyja “një”? Shqip thuhet si vigan. “Një” në këtë rast është ndikim prej gjuhësh të tjera). Dhe më tej: “vinte nga deti e bënte të këqija” (ç’janë këto “të këqija”, vidhte vezët e pulave apo u zinte udhën grave kur shkonin te kroi?). Por kjo është çështje tjetër. Bajlozi është simbol i pushtuesit, që historikisht ka ardhur kryesisht prej detit. Mësyn si grabitës e shkatërrimtar i çdo gjëje të vyer e të shenjtë. “Qet haraç”, thuhet në popull. Domethënë ve kushte të papërballueshme, rrenuese. Bajlozi është i rrezikshëm për shoqërinë ose bashkësinë (komunitetin).   Katallani është i rrezikshëm për individin që rreket me e sfidue. Katallani nuk turret në plangun tënd. Ai është tepër mizor vetëm në qoftë se afrohesh kah shpella e tij. Është kjo arsyeja që herë-herë, në mënyrë metaforike, thuhet “bajlozët e korrupsionit” (për qeveritarët që nuk ngopen) dhe asnjëherë katallanët e korrupsionit.

Nga: 

 

Top