Gjermania nuk e mbështetë shkëmbimin e territoreve mes Kosovës e Serbisë

47 Lexime

 
 
Gjermania mbështetë dialogun për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, por jo shkëmbimin e territoreve.
 
Kështu u shprehën sot  në Prishtinë deputetët e Bundestagut Gjerman, Peter Bayer dhe Christian Schmidt pas një takimi me kryeministrin Ramush Haradinaj.
 
“Ne jemi në vizitë zyrtare, por ne jemi me miqtë tanë. Biseduam për proceset nëpër të cilat po kalon Kosova. Kemi folur për dialogun, të cilin e mbështesim mes Kosovës dhe Serbisë, por edhe për temën e këmbimit të territoreve, të cilën Gjermania e kundërshton fuqishëm.
 
Ne do të jemi partner mbështetës i Kosovës për proceset e ardhshme, sigurisht me një sy kritik”, ka thënë deputeti Peter Bayer në prononcimin për medie, pas takimit.
 
Kryeministri Haradinaj ka njohur mysafirët me zhvillimet aktuale në Kosovë dhe rajon, si dhe për angazhimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të krijuar një ambient të qëndrueshëm paqësor në rajon dhe në bashkëpunim me të gjithë.
 
Në këtë kontekst, kryeministri Haradinaj ka theksuar përkushtimin ndaj procesit të dialogut të Kosovës me Serbinë dhe angazhimin për arritjen e një marrëveshjeje që do të rezultojë me njohjen e ndërsjellë midis dy vendeve./Ina/