EKSKLUZIVE: Mbesa shqiptare e Nënë Terezës që po mahnitë francezët

16:52:03                2018-01-15

 

 

Humanistja shqiptare nuk ka të ndalur me aktivitetin e saj që po e zhvillon në Bordeaux të Francës. Për herë të fundit, mediat franceze raportuan për një rast të rëndë me një familje pesanëtarëshe nga Maqedonia, të cilën Drita Kurtsmajlaj e strehoi në vend të duhur e të ngrohtë në këtë acar dimri.

 

Një rast tjetër me një familje shtatanëtarëshe nga Maqedonia, gjithashtu ka lënë gjurmë të rënda në humanitetin e kësaj vajze shqiptare fisnike e bujare. Ajo, pa hezituar fare, e ka marrë përgjegjësinë për përkujdesjen ndaj kësaj familje me pesë fëmijë, tre prej të cilëve me aftësi të kufizuara, e cila për një javë të tërë, ka qëndruar nëpër rrugët e qytetit Bordeaux, e lënë nën mëshirën e fatit.

 

 

Pas marrjes së informatës për gjendjen e familjes nga Maqedonia, ajo ka shkuar menjëherë në vendngjarje së bashku me një fotograf francez dhe i ka strehuar për një moment në vend të sigurt, duke u përkujdesur që të kenë ushqim të mjaftueshëm dhe përkujdesje të nevojshme mjekësore e juridike. Më pas, ajo është angazhuar edhe për rregullimin e dokumentacionit për parashtrim të kërkesës për azil, ndërsa pas pak kohe u ka siguruar edhe shtëpi të përkohshme, derisa shteti francez nuk i ka marrë nën përkujdesje të tij. Për familjen në fjalë, Drita ka organizuar ftesë publike për donacione në rrethinën e saj dhe familjes i ka siguruar për një kohë të shkurtër rreth 5 mijë euro.

 

 

„E kemi për obligim tu dalim në ndihmë personave që kanë ngelur nëpër rrugët e qytetit. Këtu jemi gjithnjë në kontakt të përhershëm me shoqata të ndryshme dhe me popullatën. Ne ju ndihmojmë njerëzve në nevojë, i shoqërojmë te mjeku, kërkojmë shtëpi të përkohshme për ta, ju sigurojmë artikuj të mjaftueshëm ushqimorë etj., deri sa të futen në procedurat për kërkim të azilit. Më pastaj, pasi të refuzohet kërkesa e tyre për azil, ne u ndihmojmë me ndihmën e avokatëve për strehim të mëtutjeshëm, deri në pajisjen eventuale me dokumente franceze“, spjegon Drita enkas për Shtegu.com.

 

 

Nuk do mend se një aktiviste aq e re shqiptare, meriton vëmendje më të madhe të opinionit shqiptar e më gjerë. Si duket, Drita është inspiruar nga veprat e paarritshme të Nënë Terezës të cilat po i përcjellë me përpikmëri të madhe. Por, kush është në të vërtetë Drita 22-vjeçare?¨“Në vitin 2014 kemi ardhur nga Tropoja e Shqipërisë. Gjuhën frenge e mësova me një kurs tremujor dhe menjëherë u inkuadrova në aktivitetin human për tu ndihmuar personave të pastrehë, pa marrë parasysh prejardhjen e tyre, apo edhe shtetasve francezë, që për shkaqe te ndryshme kanë mbetur nëpër rrugë“. Drita e krijoi faqen e saj „Aide aux perssonne à la rue Bordeaux“ me të cilën reagon menjëherë kur ndokush është në nevojë. Për ta gjetur Dritën në Bordeaux nuk është edhe punë shumë e vështirë, pasi i gjithë qyteti e quan „Nëna Terezë“. (Shtegu.com)

Top